Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç thotë ajo, humbjen e trenit për liberalizim të vizave më 2016’ën me gazlotsjellës e molotov.

Në një postim në Facebook, Çitaku ka thënë se planifikohej bashkë me Ukrainën e Gjeorgjinë t’i liberalizoheshin vizat edhe Kosovës atëbotë.

Tutje, numri dy i PDK-së ka thënë se shpreson që krerët institucionalë të kenë marrë mësim të mos kenë, siç thotë ajo, retorika boshte e populiste. E njëjta tha se me këtë nuk e arsyeton qasjen e BE-së karshi Kosovës.

“ Pa dashur ta arsyetoj për asnjë moment qasjen fund e krye të pajustifikueshme të Bashkimit Evropian karrshi Kosovës dhe liberalizimit të vizave, një mësim shpresoj ta kenë marrë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës; retorika boshe dhe populliste të cilës i kanë prirë me vite, gazi lotësjellës e molotovët na e humbën trenin për liberalizim të vizave vitin 2016, atëhere kur ishim në pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.

Reagimi i saj vjen pas skepticizmit të shprehur nga ana e Holandës, ku kryeministri i saj, Mark Rutte, deklaroi se Kosova duhet të bëjë më shumë në mënyrë që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Sidoqoftë, ekzistonte edhe një frymë optimiste që Kosovës do t’i liberalizoheshin vizat pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Fjalë të mëdha për këtë çështje pati dhënë edhe vetë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kosova, me arritjen e marrëveshjes për demarkimin e kufijve me Malin e Zi më 2016-ën, kishte plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje lirshëm. Demarkacioni u kundërshtua dhunshëm nga partia aktualisht në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët hodhën gazlotsjellës në Kuvend për ta bllokuar votimin.