Tifozët e Liverpoolit mund të arsyetohen nëse kanë frikë para përballjes me Chelsean, që zhvillohet këtë të diel në “Anfield Road”. Ndeshja i takon xhiros së 34-t në Premier League dhe nis në orën 17:30.
Tifozët e Liverpoolit kanë kujtime të hidhura nga dueli me Chelsean, ekip që para pesë vjetësh ua mohoi titullin e kampionit, e të cilin po e kërkojnë prej vitit 1990, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Atëbotë, Liverpoolit i duhej fitorja kundër Chelseat për ta siguruar titullin e kampionit, pasi deri në fund të edicionit ishin edhe tri ndeshje.
Atë ndeshje Liverpooli e humbi 2:0 nga Chelsea që pikët nuk i duheshin shumë. Më pas, Liverpooli barazoi 3:3 në udhëtim ndaj Crystal Palacet për t’ia mundësuar kështu Manchester Cityt të shpallet kampion me dy pikë më shumë.
Edhe këtë edicion, situata është pak a shumë e ngjashme. Liverpooli e City po luftojnë për titullin e kampionit, derisa Chelsea është jashtë kësaj gare dhe synim e ka një vend që edicionin tjetër dërgon në Ligën e Kampionëve.