Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka bërë të qartë se në ekipin e tij do të luajnë vetëm ata futbollistë që e meritojnë dhe e duan vërtet Kosovën.
Në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, Challandes foli për dy ndeshjet e fundit të Kosovën në Ligën e Kombeve kundër Maltës në udhëtim të shtunën më 17 nëntor dhe ndaj Azerbajxhanit të martën më 20 nëntor në Prishtinë, raporton Gazeta Express.
Kosova është lidere e Grupit 3 të Ligës D me 8 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani në vendin e dytë dhe synon ta fitojë grupin në përpjekje për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 përmes një rruge më të lehtë.
Challandes ka insistuar se ka kaluar koha kur një lojtar ka mundur t’i bëjë presion Federatës së Futbollit, se nëse zgjedh Kosovën, atëherë duhet të luajë.
“Lojtarët duhet të vijnë të luajnë për Kosovën dhe jo të kushtëzojnë federatën se nëse Zgjedhin Kosovën duhet të luajnë. Tashmë ka kaluar koha e kushtëzimeve të tilla. Lojtarët e rinj 18, 19 vjeçar që duan të vijnë të Kosova, duhet ta kenë të qartë se fillimisht duhet të luajnë për U21. Ne nuk jemi ekipi më i mirë në Evropë, por jemi një skuadër me lojtarë të mirë dhe do të luajnë ata që e meritojnë”, ka thënë ai.
Challandes foli për dy ndeshjet e radhës ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit, duke theksuar se skuadra e tij duhet të bëjë më mirë se në ndaj Ishujve Faroe në ndeshjen e mëhershme.
Challandes: “Kemi bërë disa gabime në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe dhe unë do të kërkojë nga lojtarët që ato të mos përsëriten. Unë nuk u bëj atyre presion që të fitojmë me çdo kusht, por u bëj presion që të bëjnë paraqitje të mirë dhe shpresoj se do ta bëjmë në dy takimet e radhës, që janë shumë të rëndësishme.
Ai po ashtu tha se në situatën që është Kosova do të ishte shumë i zhgënjyer nëse nuk përfundojnë në vendin e parë në Grup.
“Nuk do të ishte fundi i Botës nëse nuk kualifikohemi për gjysmëfinale, por do të ishte një zhgënjim shumë, shumë i madh. Skuadra e Kosovës është duke u ndërtuar si një shtëpi. Albert Bunjaki i ka vënë themelet dhe ndoshta unë jam duke e ndërtuar katin e parë. Nuk duhet ta kemi qëllim vetëm gjysmëfinalen, duhet të mendojmë edhe për të ardhmen. “
Zvicerani foli edhe për gjendjen e futbollistëve të ftuar, ku tha se Bersant Celina ka pësuar një lëndim dhe nuk do të jetë i gatshëm për këto dy takime.
Ai po ashtu njoftoi se Vojvoda dhe Shala kanë pasur disa lëndime të vogla, por janë të gatshëm për të luajtur.






