Pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerëve, për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, avokati Granit Vokshi ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se cilat janë proceduarat që mund ta përcjellin këtë proces në të ardhmen.
Ai thotë se aktakuza duhet të shqyrtohet nga gjyqtari i procedurës paraprake brenda një periudhe gjashtëmujore duke nisur nga momenti i ngritjes së aktakuzës [24 prill].
“Gjykatësi brenda periudhës gjashtëmujore, e cila periudhë edhe mund të zgjatet, do ta shqyrtojë dhe do ta vlerësojë se ajo aktakuzë është e bazuar. [Gjyqtari] ka mundësi ta hedhë aktakuzën apo edhe ta konfirmojë atë”, ka treguar Vokshi.
Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:
“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Sipas Vokshit, në rast se aktakuza konfirmohet, atëherë pasojnë proceduarat e tjera duke nisur nga formimi i trupit gjykues.
“Me rastin e konfirmimit të aktakuzës do të themelohet trupi gjykues dhe pastaj do të futet në një shqyrtim gjyqësor. Për momentin, të përmendurit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk konsiderohen të akuzuar meqenëse ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ligji nuk e parasheh që ata të quhen si të akuzuar, ata ende janë vetëm të dyshuar dhe të akuzuar bëhen në momentin kur të konfirmohet aktakuza nga gjyqtari i proceduare paraprake”, ka thënë mes tjerash ai.
Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.
Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./rel