Një peticion i nënshkruar nga banorët e fshatrave Murgull dhe Brecë për mos lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve, ka bërë që sot të debatohet në seancën e rregullt në Kuvendin Komunal të Podujevës, njofton Llapi.info

E për këtë, të gjitha partitë kishin deklarata të njëjta, duke shprehur se kundërshtimi i banorëve është në interes të tyre. Por, VV dhe PDK kanë kritikuar ekzekutivin se kjo pikë nuk është dashur të futet në rend dite.

Lidhur më këtë çështje, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, informoi Kuvendin lidhur me peticionin e banorëve të cilët kundërshtojnë ndërtimin e dy hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit Llap në Murgull dhe Brecë.

Drejtori Jaha ka shtuar se me Planin Zhvillimor Komunal atje nuk është paraparë ndërtimi i hidrocentraleve.

Më tej, Jaha ka thënë se sapo të marr nga kompania kërkesën për ndërtimin e hidrocentraleve do ta shqyrtojë atë dhe nuk do të lëshojë leje ndërtimi nëse ky projekt bie në kundërshtim me ligjin dhe nëse kundërshtohet nga banorët e asaj zone.

Sipas shefit të grupit parlamentar të LDK-së, interesi i banorëve duhet të jetë i theksuar.

“Drejtoria përkatëse dhe Ministritë relevante duhet t’i kthejnë përgjigje kompanisë dhe të shikohet se a i lejohet ligjërisht me ndërtu atje diçka. Por, duhet të respektohet me theks të veçantë interesi i banorëve”, ka thënë Avni Fetahu nga LDK.

Në anën tjetër Bajram Ajeti, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar ashpër ish drejtorin e Urbanizmit, Durim Salihun, pasi që sipas tij ai në fillim ka lejuar një gjë të tillë.

“Reagimin e qytetarëve e shohim si demokratik për t’i mbrojtur interesat e tyre dhe është e drejtë e tyre. Nga këshilltarët e VV-së janë vizituar banorët e këtyre dy fshatrave, të cilët kanë shprehur kundërshtim të prerë për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentraleve në këto fshatra. E kjo për shkak se ndikon në jetën e tyre. Më 15 shkurt 2017 nga drejtoria e Planifikimit Urban gjegjësisht drejtorit Durim Salihu, kompanisë i lëshohet pëlqim parimor për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e fshatit Murgull. Ndërsa, Hamdi Jaha në korrik ia ka dërguar kompanisë një shkresë duke thënë se nuk kanë aplikuar asnjëherë. Kjo tregon sa kontradiktor janë të dy drejtoritë për të njëjtin çështje. Kurse, nga Administrata nuk është dhënë asnjë sqarim për këtë çështje. Por, më e rëndësishmja mungon se a është dëshmia dhe a është siguruar pjesëmarrja e palëve të interesuara, gjegjësisht qytetarëve lidhur me këtë projekt se lidhet me interesin e tyre”, ka thënë ai.

Ajeti ka thënë se lista e nënshkrimeve të banorëve për lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve, po hetohet si nënshkrime të falsifikuara. (Kështu thuhet edhe në peticionin e banorëve dërguar Komunës).

“Është dashur të merret pëlqimi i banorëve të asaj ane edhe me pas një dëshmi se lejohet ndërtimi. Ministria e Mjedisit e ka lëshuar lejen për kushtet ujore me tregu që ka ujë, por pëlqim ujor nuk ka pa të cilën edhe nuk lejohet të ndërtohet. Kemi dy grupe të banorëve njëra është dakorduar për debat publik dhe nënshkrimet, por që lista është duke u hetuar që kjo listë gjoja ka dhënë pëlqimin për ndërtimin e tyre, se dyshohet se ka nënshkrime të falsifikuara. Grupi tjetër i banorëve janë këtij peticioni për mos lejim. Andaj, nuk mund të marrim vendim se Policia është duke e hetuar dhe duhet të presim. Administrata nuk mund të bëjë përgjegjëse Kuvendin Komunal së është vonuar dhe nuk është marrë me seriozitet. Në fund do t’i dal fytyra korruptive edhe kësaj pune. Nuk duhet të lejojmë të luhet me lumin Llap”, ka thënë Ajeti.

Kundërshtime të mëdha pati edhe shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Rafet Llapashtica duke shtuar se Kuvendi nuk ka kompetencë të vendos për ndërtim

“Pikë së pari përgjegjëse kryesore është ekzekutivi e jo Kuvendi. Kjo pikë nuk është dashur të jetë në rend dite se nuk është në kompetencë të kuvendit. Përgjegjës kryesor për po ose jo ndërtimi i këtij hidrocentrali është ekzekutivi gjegjësisht, kryetari i Komunës. Kuvendi as nuk jep leje e as nuk ndalon. Këtë situatë e ka sjell ish-drejtori i Urbanizmit, Durim Salihu. Këta qytetarë janë ankuar te kryetari Veliu dhe drejtori Durim Salihu, kanë bë peticione. Ne këtë shqetësim jemi njoftu vetëm që 5 ditë, e listat janë në drejtori. Komuna nuk ka kthyer asnjë përgjigje brenda afatit kohor kur ka kaluar një vit kur është dorëzuar kërkesa për kushtet ndërtimore, sipas këtij ligji do të thotë kërkesa e miratuar. Investitori edhe ka premtu diçka në bazë të dokumenteve që ne kemi, iu ka premtu asaj ane diçka, pos ndërtimit të hidrocentraleve ka premtuar edhe investime si në infrastrukturë, në ndërtimin e urave si dhe punësim të punëtorëve”, ka thënë ai.

Llapashtica më tej ka kërkuar nga banorët e fshatrave Murgull dhe Brecë që të ruajnë qetësinë.

“Kuvendi nuk është kompetente të vendos për po ose jo ndërtimi, këtu është nënkryetari se kryetari Veliu kurrë prej së është betuar nuk ka marrë pjesë në seanca. Shumë pak brengoset për juve nuk i intereson. Andaj, ju kisha lut juve banorëve të mos nguteni se nuk jeni të informuar me dokumente nga ish-drejtori”, ka thënë pos tjerash ai.

Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari i cili tha se Komuna është e hapur për investime, por në radhë të parë të mbrojë interesat e qytetarëve të saj./Llapi.info