Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, pret që takimi i planifikuar në Washington të anulohet pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në njoftimin për media, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej.
“Unë pres që samiti të anulohet, por me administratën Trump asgjë nuk është e parashikueshme. Unë nuk mund të them me siguri se si do të reagojnë, por në këto rrethana, kështu do të duhej të reagonin”, ka thënë Carpenter, aktualisht drejtor menaxhues i Qendrës Penn Biden për Diplomacinë.
Sipas tij, akuzat ndaj Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë shumë serioze dhe ndikimi i tyre në dialog “do të ndodhë për faktin se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për vite me radhë”.
Ai pret që dialogun ta udhëheqë kryeministri Avdullah Hoti.