Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur debatin e dytë publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për ecurinë e realizimit të projekteve në investimet kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019, raporton Llapi.info

Në këtë debat, Veliu tha se janë asfaltuar 90 për qind e rrugëve, derisa ishin kërkesat e qytetarëve për asfaltimin e rrugëve dhe premtimet që sipas tyre i ka bërë i pari i Podujevës, Agim Veliu dhe drejtorët komunalë.

“Edhe në këtë vit investimet kapitale kanë qenë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë. Jemi në fazën e finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore, ku nëse e marrim me përqindje janë asfaltuar rreth 90 % të rrugëve nga rreth 1,300 rrugë publike sa janë të evidentuara në territorin e Komunës sonë”, ka thënë Veliu

Ndërsa, një banor i fshatit Llapashticë [C.Cakaj] iu drejtua kryetarit Veliu dhe drejtorëve komunalë se banorëve të fshatit Llapshticë iu nevojiten të asfaltohen rrugët. Sipas tij, për asfaltimin e tyre edhe janë bërë premtimet.

“Rrugën në fshatin Llapashticë rreth 500 metra nuk është asfaltuar hala. Para pesë viteve është bërë projekti e premtimet e keni harru krejt. Probleme tjera ka në këtë fshat edhe me kanalizim e po ashtu edhe me emërtimin e rrugëve. Na keni premtu, por s’i keni realizu, s’po na mbetet tjetër veç me lëshu krejt Komunën e Podujevës”, ka thënë ndër tjerash ai.

Edhe Shaban Menxhiqi nga fshati Lupç i Epërm kërkoi asfaltimi e një rrugë në këtë fshat, si dhe Skënder Hyseni nga fshati Bellopojë.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha tha se do t’iu bëhet një zgjidhje edhe këtyre kërkesave, derisa tha se mos-asfaltimi i rrugës nuk ka të bëjë me inatin.

“Ka ende rrugë që do të asfaltohen, në fshatin Llugë 1.5 kilometra, do t’iu gjejmë zgjidhje dhe do t’i rregullojmë. Cakaj, nuk është inati që rruga nuk është shtruar ajo rrugë. Asfaltimi është bërë edhe një pjesën dërrmuese të fshatrave si në Bajçinë, Bradash, Peran, Shtedim e fshatra tjera. Ndërsa, në qytet ka filluar zgjerimi i rrugës “Zahir Pajaziti”, e cila do të bëhet me 3 korsi, si dhe do të bëhet me të gjithë infrastrukturës duke i larguar edhe shtyllat elektrike”, ka thënë ai./Llapi.info