Një aksident të cilin e shkaktoi katër vite më parë, po i shkakton ende telashe një gruaje në Prishtinë. Kjo pasi që ajo vazhdimisht përballet me kërcënime nga personi i cili ishte viktimë në aksident, raporton Gazeta Sinjali.
Gjithçka nisur në vitin 2018, kur gruaja e kishte goditur aksidentalisht me veturë 39-vjeçarin. I gjithë rasti është ende duke u trajtuar në Gjykatë, mirëpo pavarësisht kësaj tashmë i dyshuari është i vendosur që ta marrë vetë drejtësinë në duar.
Sinjali mëson se kërcënimet e tij të vazhdueshme kanë bërë që 57-vjeçarja ta denoncojë atë në Polici, pasi që ndihet e frikësuar dhe e shqetësuar nga fjalët e të dyshuarit. Sipas saj, ai i është drejtuar asaj me fjalët se i ka ende borxh dhe mos t’i gënjej njerëzit se ia ka falur atë që ka ndodhur.
Me të marrë informatën, njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë arrestuar 39-vjeçarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Para hetuesve policorë ai ka pranuar se ka shkuar te shtëpia e viktimës dhe e ka paralajmëruar se nëse vendimi i Gjykatës sipas tij është i padrejtë, ai do të marrë masa vetë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj tij të iniciohet rasti ‘Kanosje’ dhe ‘Ngacmim’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.






