Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se buxheti i vitit 2023 do të jetë më i madhi ndonjëherë për këtë komunë, shkruan Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se Komuna e Podujevës ka buxhet rreth 4 milionë euro më tepër e mbi 2 milionë prej tyre janë në kategorinë e investimeve kapitale.

Postimi i tij i plotë:

Bashkë me kolegët kryetarë të komunave, kemi zhvilluar takim me Kryeministrin Kurti, Ministrat Murati dhe Krasniqi, gjatë këtij takimi kemi diskutuar për përformancën buxhetore të Komunave dhe investimet kapitale, energjinë dhe ujërat, agjendën e gjelbër dhe strategjinë për menaxhimin e qenve me dhe pa pronar.

Ne diskutuam edhe për buxhetin e 2023, nga Granti Qeveritar për komuna, secila nga komunat kemi përfituar rritje të konsiderueshme të buxhetit për vitin 2023. Komuna e Podujevës ka buxhet rreth 4 milionë euro më tepër e mbi 2 milionë prej tyre janë në kategorinë e investimeve kapitale, kjo njëherit është edhe mbështetja më e madhe që ofron Qeveria e Kosovës për Komunën e Podujevës.

Sfidat i kemi të mëdha, por na nevojitet bashkëpunim i ngushtë që karshi nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të jemi bashkë e të gjejmë zgjidhjet më adekuate.