Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mbajtur takimin publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, projektet dhe aktivitetet që janë në proces, si dhe ato të planifikuara për realizim, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info. 

Në diskutimin me qytetarë përveç kryetarit ishin prezent edhe nënkryetarja, Marigona Lahu dhe anëtarët e ekzekutivit.

Kryetari Bulliqi tha se qëllimi i këtij takimi është pasqyrimi i projekteve të realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë dhe objektivat e parapara për realizimin e projekteve në gjashtëmujorin e dytë, si dhe t’i dëgjojmë kërkesat, nevojat dhe sygjerimet e qytetarëve për projektet në lokalitetet ku ata jetojnë.

Kryetari Bulliqi ka prezantuar projektet dhe aktivitetet e realizuara gjatë këtij gjashtëmujori për secilën drejtori.

“Në kuadër të drejtorisë së Administratës kemi vazhduar me shërbime të shpejta dhe efikase ndaj qytetarëve duke i digjitalizuar edhe shumë shërbime të reja” tha Kryetari Bulliqi.

Duke iu referuar aktiviteteve të drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ai tha se është rritur inkasimi i të hyrave vetanake, është hartuar KAB për 2023-2025 dhe planfikimet për buxhetin e vitit tjetër.

Nga drejtoria e Arsimit potencoi se kemi realizuar disa projekte si furnizimi me shujta për nxënësit nga klasa 1-5, ka përfunduar renovimi i çerdhes së re publike në qytet dhe furnizimi i shkollave me kabinete të tik-ut dhe është bërë dyfishimi i fondit të bursave për studentë nga 50 në 100 mijë euro.

“Në kuadër të drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kemi realizuar disa projekte në infrastrukturën mjekësore dhe shtimin e shërbimeve të reja shëndetësore për qytetarët tanë”.

Në infrastrukturë, ai tha se është bërë miratimi i hartës zonale dhe kanë filluar punimet në rrugën “Skenderbeu” në gjatësi prej 2.4 km, e cila rrugë të ndërtohet sipas të gjitha standardeve infrastrukturore me kanalizim, ujësjellës, ndriçim, trotuar, gjelbërim, shtigje të biçikletave etj. Ndërsa po punohet edhe në asfaltimin e rrugëve të planifikuara.

Ndërsa në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ai përmendi galerinë e arteve e cila është në përfundim të punimeve, e kemi caktuar lokacionin për ndërtimin e pishinës së mbyllur gjysëm olimpike, kemi inicuar ndërtimin e fushave të tenisit, atletikes dhe një fitnesi të hapur.

Në kuadër të drejtorisë së Shërbimeve Publike, “ka përfunduar zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik në fshatrat: Gllamnik, Godishnjak, Siboc, Penuhë, Katunisht, Sfeçël dhe Bellopojë, janë mbjell mbi 1,600 drunj dekorativ në rrugët e qytetit dhe në fshatra, kemi vazhduar ndërtimin e trotuareve në: Letanc, Pakashticë, Llapashticë e Poshtme, Sfeçël, Lupç, Bellopojë e Gërdoc dhe janë trajtuar me zhavor disa rrugë në fshatra.

Si dhe janë duke u ndërtuar 21 ura të reja në lokalitete të ndryshme.

Në fushën e Inspeksionit tha se po zhvillohen aktivitetet e rregullta, siç janë: lirimi i hapësirave publike, ndalimi i ndërtimeve pa leje, parandalimi dhe konfiskimi i prerjes së pyjeve dhe aktivitetet tjera të kësaj natyre.

Ndërsa në fushën e bujqësisë, kryetari Bulliqi tha se nga kjo drejtori deri më tani janë realizuar projektet për mbështetjen e 40 fermerëve me 1,400 fidane të mjedrës, 140 fermerë janë mbështetur me nga 5 shoqëri bletësh dhe 108 fermerë janë mbështetur me Mëshqerra.

Edhe nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, kryetari foli për projektet që janë inicuar nga kjo drejtori si: parkingu nëntokësor, ndërtimi i stacionit të autobusëve dhe grantet që janë ndarë në bashkëpunim me organizata të ndryshme për bizneset e vogla.

Pas prezantimit të kryetarit Bulliqi, u hap diskutimi me qytetarë, ku ata paraqitën kërkesat dhe sygjerimet e tyre për projektet në lokalitetet ku ata jetojnë.

Ekzekutivi komunal u zotuan se do të angazhohen që kërkesat dhe nevojat e qytetarëve do të trajtohen me prioritet në planifikimet buxhetore për muajt dhe vitet vijuese./Llapi.info