Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se të gjitha ekipet e Komunës kanë dalë në terren për t’i pastruar rrugës nga bora, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, i pari i Podujevës ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes shtuar në trafik, pasi reshjet e borës janë intensifikuar.
“Reshjet e parreshtura të borës dy ditët e fundit po e vështirësojnë qarkullimin e veturave në komunikacion. Të gjitha ekipet e Komunës janë në terren për pastrimin e rrugëve dhe po punojnë pa u ndalur për zhbllokim të rrugëve dhe qarkullim normal në trafik. Meqenëse reshjet janë të vazhdueshme ju bëj apel të keni kujdes të shtuar dhe të shmangni daljet e panevojshme”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të borës, në shumë pjesë të Kosovës rrugët janë bërë vështirë të kalueshme.
Edhe pse qytetarët po tregojnë se gjithandej rrugët e Kosovës janë të bllokuara, Ministria e Infrastrukturës për të dytën herë ka njoftuar se rrugët janë të kalueshme përkundër reshjeve të borës.
Përmes një njoftimi, nga MI thanë se rrugët që janë në menaxhim të institucionit, në vazhdimësi janë duke u pastruar nga bora dhe është duke u hedhur kripa, me qëllim të parandalimit të ngricave./Llapi.info






