Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar sot vendimet e para të tij si i pari i kësaj komune, njofton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi 20 ditëshin e tij në krye të komunës e ka cilësuar si “qeverisje e mirë”.
“Vendim për orar fleksibil brenda administratës komunale, shërbime të pandërprera për qytetarët nga ora 08:00 – 16:00. Janë siguruar dy aparate për prodhim të oksigjenit në QKMF. Janë siguruar donacion pre 46 krerë lopë për bujqit. Janë siguruar donacion 40 spërkatëse për dezinfektim të shkollave. Janë siguruar donacion 70 pako ushqimore për familjet skamnore. Kemi bërë furnizim me libra për shkollat fillore dhe të mesme, me rreth 30 mijë ekzemplarë dhe 112 tituj”, thuhet në postimin e Bulliqit.
“Kemi siguruar 22 laptopë nga Ministria e Arsimit për shtatë shkolla të Podujevës. Janë shpërndarë 50 mullinj për fermerët. Janë shtuar kapacitetet në QKMF në qendrën anti-covid, me shtretër të ri dhe është bërë furnizim me barna. Kemi nxjerrë vendim për parkimin e automjeteve të bashkatdhetarëve brenda oborrit të objektit komunal. Kemi nxjerrë vendim për ndalim të përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira publike. Kemi nxjerrë vendim për orarin e punës gjatë vikendit, me qëllim të shërbimit për qytetarë pas fluksit të madh të mërgimtarëve. Është nënshkruar marrëveshje me Caritas-in zviceran për përkrahje për edukimin parafillor. Trajnime për mësimdhënës, si dhe pajisje për 5 shkolla fillore për furnizim me materiale për edukimin e hershëm”, thuhet tutje.
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zyrtarisht sot ka marrë detyrën e kryetarit të kësaj komune më 7 dhjetor, duke bërë betimin para asamblesë komunale.
Ai doli fitues në zgjedhje me 18.286 vota apo 51.9 për qind të votave. Ndërkaq, Nexhmi Rudari i LDK-së ka marr 12.627 apo 35.8 për qind të votave, kurse në vend të tretë është radhitur ai i PDK-së me 4.341 vota apo 12.3 për qind./Llapi.info











