Lokale - eSIMy

Kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës, njëherësh kryetar aktual, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se gjatë mandatit të tij të plotë do të ndërtohet parku industrial, urgjenca e qytetit, shkolla e projekte tjera.

Ai ka thënë se tashmë kanë nisur edhe procedurat për ndërtimin e parkut industrial dhe urgjencës së qytetit, derisa ka përmendur prioritet e tij.

 

“E para, një fushë që kemi punuar këtë kohë, është krijimi i parakushteve për fillimin e punimeve të parkut të industrial. Kemi filluar procedurat me AKP-në për 37.2 hektarë sipërfaqe, për të krijuar një park industrial. Këtu do t’u ndahet bizneseve nga një sipërfaqe nga 6 mijë deri në 8 mijë metra katrorë, në mënyrë që t’u mundësohet një infrastrukturëtë kompletuar. 2., zhvendosja e stacionit të autobusëve dhe ndërtimi i tij të ri, i cili planifikohet afër ish-hotel Besianës. Kemi filluar procedurat e negocimit me nivelin qendror. Në stacionin aktual, ku është stacioni i autobusëve do ta kthejmë tregun e gjelbër dhe mundësia për të krijuar kushte më të mira për tregtarët është e madhe. Tjetër projekt është edhe premtimi për t’u ndarë 2 milionë euro buxhet për t’i subvencionuar bujqit tanë, pasi bujqësia si veprimtari ekonomike prej më të zhvilluar në Podujevë dhe na mundëson hapjen e vendeve të punës, është një prioritet i yni”, ka thënë Bulliqi në debat plus.

Bulliqi ka prezantuar edhe planin për zhbllokimin e komunikacionit, pas ndërtimit të sheshit.

“Sot e kemi relativisht të ngulfatur qytetin me t’u mbyllur sheshi i cili është ndërtuar dhe është ngufatur bukur shumë komunikacioni. Ne domosdoshmërish duhet gjetur alternativë për ta zhbllokuar qytetin. Kësisoj kemi planifikuar që arteria rrugore kah Xhamia, prapa lumit Llapit, ta vazhdojmë dhe ta zbrasim deri tek “Agnesa” poshtë dhe të lidhet me magjistralen Podujevë – Prishtinë. Kemi filluar negociatat me hekurudhat në Kosovë që përgjatë brezit të hekurudhës ta nxjerrim një trase të rrugës, e cila lidhet tek pjesa që siç njihet “Ura e Nishit”, e cila lidhet prapë me magjistralen Podujevë – Prishtinë, në mënyrë që ta zhbllokojmë qytetin e Podujevës”, ka thënë ai.

 

“Prioritet po ashtu i yni është ndërtimi i urgjencës së qytetit. Jemi në përmbyllje të negociatave dhe ky projekt është një milion euro. Po ashtu i kemi edhe tri objekte arsimore që do të kryhen gjatë mandatit”, është shprehur Bulliqi.