Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim zv/kryeministren e Kosovës, Emilja Rexhepi dhe Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se gjatë takimit është biseduar edhe për fillimin e ndërtimti të Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.
“Sot kisha nderin të mirëpres në takim, zv. Kryeministren e Kosovës, znj. Emilja Rexhepi dhe Ministrin e Shëndetësisë, z. Rifat Latifi. Diskutuam për situatën epidemiologjike në komunën tone, ndërsa ministrin e informova se komuna e Podujevës deri tash ka administruar mbi 80 mijë doza të vaksinës. Po ashtu, diskutuam edhe për Projektin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, i cili nuk ka filluar ende dhe theksova rëndësinë imediate që ka fillimi i këtij projekti. Në takim ngrita shqetësimin tim për mundësitë e vogla për rekrutim të stafit mjekësor të mesëm, dhe për sigurimin e aparaturave për trajtimin e pacientëve në hemodializë. Në fund u dakorduam për koordinim të angazhimeve në mënyrë që tematikat e shtruara në takim të marrin zgjidhje”, ka shkruar Bulliqi.
Podujeva vazhdon të mos ketë Spital të Përgjithshëm, përkundër që ndërtimi i tij ka qenë premtim i partive politike./Llapi.info






