Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim Burghard Fulling, cili është udhëheqës në komisione sociale në Kuvendin e Velbertit, Claudia Scëarcl, Silvia Cuper nga partia e CDU-së gjermane, shkruan Llapi.info.

“Sot patëm nderin dhe kënaqësinë që në prag të ditës së çlirimit t’i presim në Podujevë miqtë tanë nga Velberti, z. Burghard Fulling, i cili është udhëheqës në komisione sociale në Kuvendin e Velbertit, Claudia Scëarcl, Silvia Cuper nga partia e CDU-së dhe llapjanin Rrahman Islami.  Me përfaqësuesit e Velbertit diskutuam për sektorët si mund të bashkëpunojmë si dy komuna të binjakëzuara në fusha si arsimi, shëndetësia, kultura dhe sporti. Gjithashtu para tyre i prezantova potencialet që i ofron komuna jonë për investitorët e huaj”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Më tej, i pari i Podujevës ka thënë se kanë bërë dhe një ecje përgjatë Bulevardit të Dëshmorëve.

“Miqtë tanë nga Velberti ishin shumë të kënaqur me ndryshimet që janë bërë në Podujevë nga hera e fundit që kanë vizituar komunën tonë”, ka thënë tutje ai.

Komuna e Podujevës dhe ajo e Velbertit të Gjermanisë janë binjakëzuar disa vite më parë./Llapi.info