Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur në takim ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, shkruan Llapi.info.

Në këtë takim, siç ka thënë në një postim në Facebook, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kërkuar nga Latifi që të funksionalizohet objekti shëndetësor afër shkollës “Enver Maloku”, derisa të ndërtohet Spitali i Përgjithshëm i Podujevës.

Postimi i Bulliqit:

Sot në Podujevë patëm nderin ta presim për vizitë Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe stafin e tij. Me ministrin Latifi biseduam për projektet me prioritet në shëndetësinë llapjane.

E informova për projektin e ndërtimit të Urgjencës së Qytetit, ku së shpejti pritet të fillojnë punimet në realizimin e këtij projekti shumë të nevojshëm për qytetarët e Podujevës.

Ndërsa unë kërkova nga Ministri Latifi që objektin shëndetësor afër shkollës “Enver Maloku” ta funksionalizojmë me shërbime specialistike, ku edhe i vizituam hapësirat e këtij objekti, derisa të ndërtohet Spitali i Përgjithshëm i Podujevës.

Poashtu gjatë takimit kërkova rritje të stafit shëndetësor, sepse me numrin aktual është e vështirë të ofrohen shërbime cilësore dhe sipas nevojave të qytetarëve llapjanë.

U pajtuam që të bashkëpunojmë ngushtë si institucione në avancimin e shërbimeve dhe kompletimin e infrastrukturës shëndetësore në Podujevë.