Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera, priti në takim pronarin e kompanisë “Soilcos” nga Gjermania Jurgen Stainmuler dhe përfaqësuesin e kësaj kompanie në Kosovë, Bekim Zejnullahu dhe Rejona Zejnullahu – drejtoreshë e Kompanisë “Erdi R Products”, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Gjatë takimit të sotëm me kryetarin Bulliqi, pronari i kompanisë gjermane, Jurgen Stainmuler, gjerman shprehu gatishmërinë të investojë në komunën tonë dhe ofroi projektin për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Me këtë rast kryetari Bulliqi shprehu gatishmërinë e plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.

“Përveç përfitimeve në ruajtjen e ambientit dhe prodhimin e energjisë, me këtë projekt do të krijohen edhe shumë vende të reja pune për të rinjtë llapjanë”, tha kryetari Bulliqi.

Me realizimin e këtij projekti pritet të punësohen mbi 280 punëtorë, kurse kostoja totale e projektit është 55 milionë euro.

Kryetari Bulliqi dhe investitori gjerman u pajtuan që menjëherë të fillohet me procedurat për realizimin e projektit./Llapi.info