I pari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka përcjellë nga afër punimet që po kryhen nëpër zona të ndryshme të Llapit, shkruan Llapi.info.

Bulliqi përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, thotë se po ndërtohen mure mbrojtëse në lumenj, ndërtim i kolektorit dhe ndërtimi i një rruge.

“Gjatë ditës kemi vizituar punimet që po zhvillohen në rregullimin e shtratit të lumit Llap, ku po ndërtohen muret mbrojtëse përgjatë shtratit të lumit nga fshati Llugë deri në Siboc. Pas kësaj kemi vizituar edhe punimet që kanë përfunduar në ndërtimin e kolektorit atmosferik në Lagjet Tovërlani dhe Shala në hyrje të qytetit. Këto lagje me vite të tëra gjatë sezonës së vjeshtës dhe dimrit janë ballafaquar me vërshime, ndërsa me ndërtimin e këtij kolektori atmosferik ky problem i vjetër po merr fund. Poashtu, dinamikë e shtuar e punimeve po zhvillohet në ndërtimin e rrugës Kaqybeg-Siboc, ku pamë përgatitjet finale para asfaltimit të kësaj rruge lidhëse”, shkruan ai.

Pak më parë, Bulliqi ka publikuar edhe pamjet nga asfaltimi i rrugës që lidh Buricën me fshatin Konushec./Llapi.info