Lokale - eSIMy

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka akuzuar qeverisjen lokale të kësaj komunë se nuk janë marrë me interesat e qytetarëve, sidomos në kohë pandemie.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ai u shpreh se gjendja në QKMF është e mjerueshme dhe se janë vetëm tre shtretër në dispozicion për pacientët që marrin shërbimet shëndetësore dhe se në mes të pandemisë kanë ndërmarrë disa veprime që i cilësoi negative.

“Jemi në grupin e komunave me ngjyrë të kuqe sa i përket pandemisë, ndërsa sa i përket menaxhimit jemi rast Sui generis në krejt Kosovën, se ne si komunë kemi marr një sërë veprimesh negative që edhe më tutje ia kanë vështirësuar qytetarëve që kanë pasur nevojë ndihmëse institucionale shëndetësore”.

“Jemi prej komunave që në pikun e pandemisë nënkryetari e shkarkon drejtorin e shëndetësisë dhe sot komuna funksionon pa drejtor. Në pikun e pandemisë e rënon objektin e QKMF-së, dhe jemi prej rasteve të veçanta në komunat e Kosovës ku për gjashtë vjet resht QKMF menaxhohet me ushtrues detyre të drejtorit por më shumë edhe pa të, sepse ai është liruar nga detyra ose ka dhënë dorëheqje nuk e di, dhe sot nuk e di që ka ushtrues detyre të drejtorit”.

“Gjendja e QKMF-së është e mjerueshme se nuk ka qendër COVID, është një kthinë ku janë tre shtretër që u mundësojnë qytetarëve për t’u ofruar shërbimet shëndetësore”.

“QKMF-të në terren janë stërmbushur me njerëz të sëmurë nga COVID-19 që bashkërisht i marrin shërbimet e njëjta në të njëjtën dhomë, si ai me grip dhe ata me koronavirus, si pasojë e kësaj e kemi këtë numër të rritur të të infektuarve”.

“Para katër viteve ka investuar në renovimin e objektit e pastaj e ka rrënuar të tërin. Katër herë radhazi ka prerë shirit të spitalit dhe kurrë qytetarët s’e kane shijuar shërbimin e atij spitali”.

Kandidati nga radhët e Vetëvendosjes deklaroi se edhe ai ka qenë në mesin e të prekurve me koronavirus dhe se i është dashur që shërbimet shëndetësore t’i kryejë te mjekët privatë.

“Vet kam qenë i infektuar me koronavirus dhe më është dashur që t’i bëj një fotografim mushkërive dhe më kanë thënë që është mbushur aparati me shumë fotografi dhe se po presin që të vijë dikush nga Prishtina që t’i zbrazë ato dhe më është dashur që të shkojë në privat. Për mua ndoshta nuk është problem, por çka për qytetarët e tjerë që nuk kanë mundësi”.

“I kanë vjedhur qytetarët edhe në pakot emergjente që i kanë shpërndarë. Nëse një pushtet në kohë pandemie është në gjendje që një rasti social edhe pakon emergjente t’ia përgjysmojë, nuk e di çka tjetër mund të pritet”.

Bizneset llapjane janë të goditura pothuajse 20 vjet si rezultat i presioneve që i kanë bërë organet komunale. E kanë neglizhuar gjashtë muaj tenderin e sheshit të qytetit të Podujevës deri sa e kanë rregulluar çmimin kujt me ia dhënë, prej janarit e kanë bllokuar sheshin dhe komplet bizneset i kanë dëmtuar. Fare nuk e kanë qarë kokën për biznese”, deklaroi Bulliqi.