Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim dy kompanitë punëkryese në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë, raporton Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur në një postim kreu i Podujevës, duke shtuar se ka shprehur shqetësimin për kualitetin, dinamikën dhe vonesat në kryerjen e punimeve.
“Sot prita në takim dy përfaqësuesit e kompanisë punëkryerëse në magjistralen Podujevë – Prishtinë dhe mbikëqyrësin e projektit, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit. Pas takimit në zyrën time së bashku vizituam punimet në këtë rrugë për të parë nga afër dinamikën dhe vështirësitë e përditëshme me të cilat përballën qytetarët llapjanë, e po ashtu edhe mërgimtarët të cilët për ardhje në vendlindje kalojnë përmes kësaj rruge. Shpreha shqetësimin tim dhe të qytetarëve llapjanë, për kualitetin e punimeve që nga fillimi i projektit, vonesat dhe dinamikën, si dhe kërkova që shqetesimet tona të adresohen dhe mbi këtë bazë të ndërmirren veprime të menjëhershme. Në vazhdimësi kam adresuar këtë çështje dhe do të jem pëherë i angazhuar që t’i jepet rëndësia dhe trajtimi i merituar këtij projekti që është jetik për qytetarët llapjanë”, ka shkruar Bulliqi./Llapi.info









