Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, kanë vizituar qendrën anti-covid në QKMF, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, kreu i Podujevës ka thënë se në këtë qendër është duke u punuar 24-orës, teksa në të njëjtin janë rritur kapacitetet dhe stafi mjekësor.
“Bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Driton Veliu, sot vizituam qendrën anti-COVID në QKMF, ku është duke iu ofruar trajtim 24 orësh pacientëve të prekur me coronavirus. Përveç që kemi shtuar kapacitetet e shtretërve, në këtë qendër kemi angazhuar staf mjekësor shtesë. Njëkohësisht në këtë qendër janë duke u kryer testet rapide (të shpejta) për pacientë, të cilët rezultatet mund t’i marrin brenda 15-20 minutave. Aktualisht kjo qendër disponon edhe me 4000 teste rapide. Po ofrojmë mbështetje me të gjitha kapacitetet tona për stafin shëndetësor në luftën kundër Covid-19. Kërkoj nga të gjithë qytetarët kujdes të shtuar dhe respektim të masave: të mbajmë maskën, të ruajmë distancën fizike dhe të mbajmë higjienën”, ka shkruar ai.
IKSHPK ka bërë të ditur sot edhe për 17 raste pozitive me virusin korona në Podujevë. Aktualisht në këtë Komunë janë rreth 300 qytetarë aktivë me po këtë virus./Llapi.info






