Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mbajtur takim publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, projektet dhe aktivitetet që janë në proces, si dhe ato të planifikuara për realizim, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në takimin e sotëm publik, ku ishte prezente edhe nënkryetarja, Marigona Lahu dhe anëtarët e ekzekutivit, kryetari Bulliqi tha se qëllimi i këtij takimi është pasqyrimi i ecurisë së projekteve të parapara për realizim gjatë këtij viti, si dhe t’i marrim vërejtjet, sugjerimet dhe idetë për projekte në lokalitete të caktuara.

Kryetari Bulliqi tha se po punojmë më një buxhet të planifikuar nga qeverisja paraprake dhe bazuar në të, po realizojmë projektet e parapara në kuadër të këtij buxheti.

Më pas kryetari Bulliqi ka prezantuar projektet dhe aktivitetet e realizuara gjatë këtij gjashtëmujori për secilën drejtori.

“Në kuadër të drejtorisë së Administratës kemi organizuar shërbime ndaj qytetarëve gjatë komplet orarit të punës pa pauzë, kemi filluar publikimin e shpenzimeve, është instaluar sistemi për organizimin e pritjes për marrjen e shërbimeve, kemi krijuar programin “one stop shop” si dhe kemi inkuadruar shërbimet e postës brenda komunës” tha Kryetari Bulliqi

Duke iu referuar aktiviteteve të drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ai tha se është rritur inkasimi i të hyrave vetanake dhe janë futur në listë të tatimit në pronë shumë ekonomi familjarë të cilat ishin të paregjistruara.

Nga drejtoria e Arsimit tha se po investohet në renovimin e disa objekteve shkollore dhe në ndërtimin e nfrastrukturës sportive.

“Në Balloc objekti i shkollës po shkon drejt përfundimit, në disa shkolla po reazlizohen projektet e efiçencës së energjisë, po vazhdohet me ndërtimin e fushave sportive dhe së shpejti fillon implementimi i projektit për çerdhën e dytë të qytetit. Gjatë kësaj kohe janë shpërndarë edhe bursa për nxënës dhe studentë” tha kryetari Bulliqi

Ndërsa në fushën e Kulturës, rinisë dhe sportit, ai përmendi investimet në zgjerimin e hapësirave të bibliotekës së qytetit, renovimin e palestrës “Hakif Zejnullahu” renovimin dhe krijimin e infrastruktures ligjore për Teatrin “Avdush Hasani”

Në sektorin e shëndetësisë tha se ka qenë një situatë shumë e rënduar, ndërsa qysh në fillim janë ndërmarrë masa për zgjerimin e hapsirave për shërbim ndaj pacientëve dhe ndarja e shërbimeve për pacientet me Covid-19, funksinalizimi i shërbimit të patronazhit, sallës së infuzioneve, repartit të stomatologjisë dhe mamografisë. Po ashtu, ka filluar puna në dy ndërrime në Orllan dhe Kërpimeh.

Krahas avancimit të shërbimeve, kryetari Bulliqi tha se investime po bëhen edhe në rregullimin e hapësirave të jashtme të QKMF-së.

Në infrastrukturë, ai tha se po vazhdon puna me intensitet në fazën e dytë të ndërtimit të “Bulevardit të Qytetit” ndërsa po punohet edhe në projekte tjera të kësaj fushë.

“Dinamika e punës në Bulevard është rritur dhe punët shpresoj të kryhen brenda afateve. Po punohet në asfaltimin e rrugëve të planifikuara. Shpejt do të fillojmë edhe me fasadimin e objekteve në qendër. Ndërsa, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, janë ndërtuar 6 km kanalizim, 8 km trotuare, ndërsa 22 km rrugë janë trajtuar me zhavor. Në partneritet me AZHR-në do të ndërtohen ura të reja në Sfeçël, Gllamnik dhe Bajçinë, ndërsa deri në fund të vitit do të ndërtohen edhe 11 ura dhe kalesa të tjera” tha kryetari Bulliqi

Nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, kryetari Bulliqi tha se ka vazhduar projekti për mbështetje të bizneseve me pajisje pune nga bashkëpunimi me organizatën Help, ndërsa, programe të tilla tha se po zhvillohen edhe nga partneriteti me AZHR-në dhe institucione tjera. Po ashtu, nga kjo drejtori është nënshkruar kontrata me kompaninë për ta bërë studimin e fizibilitetit për projektin e parkingut nëntoksorë.

Në fushën e bujqësisë, kryetari Bulliqi tha se ka vështërsi, sidomos në kontratat për furnizim me serra dhe mbjelljen e drunjeve dekorativë, ku në të dy rastet kompanitë pas nënshkrimit të kontratave, kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara dhe janë tërhequr, për këto kompani ai u zotua se do të futen në listën e zezë, ndërsa për këto projekte, komuna do të fillojë procedura të reja. Ndërsa nga kjo drejtori deri më tani janë realizuar projektet për mbështetjen e fermerëve me 70 krerë mëshqerra, mbështetja me fidane të mjedrrës, janë shperndarë 50 mullinj dhe së shpejti do të shpërndahen shoqëri bletësh për 105 bletarë.

Në fushën e inspeksionit tha se po zhvillohen aktivitetet e rregullta, siç janë respektimi i masave anti-Covid, lirimi i hapësirave publike, prerja e pyjeve dhe aktivitetet tjera të kësaj natyre.

Ndërsa, qytetarët e pranishëm në këtë takim publik kanë marrë pjesë në debat, duke shtruar pyetje për projekte të ndryshme, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbime publike.

Në pyetjet dhe interesimin e qytetarëve janë përgjigjur kryetari Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive përkatëse./Llapi.info

May be an image of 1 person
May be an image of 6 people, people sitting and indoor
May be an image of 3 people and people sitting
May be an image of 4 people, beard, people sitting and indoor