Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është shprehur se tashmë janë kryer disa procedura kryesore, si ajo e shpronësimit, për punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë, shkruan Llapi.info.

Bulliqi, në emisionin “N’nejë” në ATV – ka deklaruar se pret nga ekzekutivi qendror t’i ndajë mjetet e mjaftueshme për t’i kryer punimet në këtë rrugë, të cilët kanë nisur për më shumë se gjashtë vjet.

“Rruga Prishtinë – Podujevë ka kohë që ka filluar. Është një nga projektet jetike për komunën tonë. Fillimi ka qenë jo i mirë, pasi projekti që është bërë ka shumë mangësi dhe probleme. Por, në këtë vit, e kemi të detajuar projektin kryesor. E kemi të detajuar çështjen e shpronësimit, pasi kjo s’ka qenë e zgjidhur. Po shpresojmë shumë shpejtë që Qeveria ta marrë përsipër këtë”, ka deklaruar ai.

Bulliqi ka shtuar se periudha kur është dashur të kryhet ka qenë për 2-3 vjet.

“Një periudhë 2-3 vjeçare ka qenë për me u zgjedh kjo rrugë, por tani janë bërë 5-6 vite dhe nuk jemi në çerekun e punëve që duhet të kryhen në këtë magjistrale. Qeveritë janë ndërruar, ajo ka filluar m Qeverinë Mustafa, ka vazhduar me të Haradinjat dhe Hotit. Tash është me Qeverinë Kurti. Nuk është problemi që s’ka pasur mjete buxhetore, por është dashur përkushtim më të madh. Kam biseduar edhe me kryeministrin, por edhe me ministrin e Infrastrukturës dhe ministrin e Financave, është gatishmëria, është vullneti dhe janë kryer ato proceduar e shpronësimit, projekti është finalizuar dhe po presim që të ndahen mjetet e mjaftueshme për të filluar zbatimi i projektit”, ka thënë ai.

I pari i  Podujevës është “kritikuar” pikërisht për këtë çështje nga një qytetar, i cili u lidh LIVE nga sheshi i qytetit./Llapi.info