Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka folur sot me kryetarin e Linzit të Austrisë, Klaus Luger, njofton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka njoftuar se nga ky takim ka marrë mbështetjen e Lugerit për projektin e parë në Komunën e Podujevës në fushën e mjedisit.
“Sot kam zhvilluar takim online me kryetarin e Linzit, z. Klaus Luger, me të cilin kemi diskutuar për shumë tema. Së pari e uruam njëri-tjetrin për fitoret në zgjedhjet për kryetar komune në komunat respektive. Kryetari Luger më njoftoi se do të mbështesë projektin e parë për Komunën e Podujevës në fushën e mjedisit, duke na siguruar kamioneta dhe pajisje të tjera përcjellëse për largimin e mbeturinave në komunën tonë. Ky projekt së shpejti do të konkretizohet. Ne u dakorduam me kryetarin Luger që pas festave të fundvitit dhe kompletimit të stafit menaxherial në dy komunat të takohemi e të konkretizojmë disa prej iniciativave që i kemi diskutuar gjatë takimeve tona”, ka shkruar Bulliqi.
Komuna e Podujevës dhe ajo e Linzit të Austrisë në korrik të këtij viti patën nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit në mes të dy komunave./Llapi.info






