Kryetari i zgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shprehur se do të jetë në krye të Komunës për të gjithë qytetarët e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Bulliqi, duke falënderuar llapjanët për votim, ka thënë se kjo fitore i atribuohet qytetarëve, aktivistëve dhe mërgimtarëve.
“Kjo fitore i atribuohet qytetarëve të Llapit dhe Gollakut. I atribuohet aktivistëve që kanë bërë një punë të madhe. I atribuohet mërgimtarëve, të cilët kanë ardhur nga vendet e tyre për të votuar dhe i falënderoj shumë. I atribuohet ekipit që kanë punuar gjatë gjithë kohës”, është shprehur Bulliqi në TV Llapi.
“Për këtë 10 muaj të qeverisjes kam qenë kryetari i gjithë qytetarëve të Llapit dhe Gollakut. Edhe tash do të jem kryetar për të gjithë, për atë që më kanë votuar dhe ata që nuk më kanë votuar. Askush nuk ka vend për t’u shqetësuar”, ka thënë Bulliqi.
Ai ka premtuar se do të bëhen punë të shumta për bashkatdhetarët. Bulliqi ka shtuar se ekipi brenda strukturave është duke punuar për të zgjedhur ekzekutivin për qeverisjen e mandatit të plotë.
Bulliqi ka thënë se deri më tani nuk ka pranuar urim nga kundërkandidati i tij, Ekrem Hyseni.
“Së paku deri tash nuk kam marr urim zyrtarisht. Ndoshta në ditët në vijim mund të ketë diçka të tillë. Gara ka qenë fer në këtë pjesë të dytë të fushatës. Ka pasur raste për tendenca të elektrizimit të garës, por ne si subjekt politik nuk kemi rënë në grackë të provokimit. Është mirë që procesi ka ecur mirë dhe mbarë. Populli e dha verdiktin e tij dhe puna duhet të vazhdojë”, ka thënë Bulliqi ndër të tjerash./Llapi.info






