Lokale - eSIMy

Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj policëve në fshatin Dobërdol të kësaj komune, shkruan Llapi.info.

Në një reagim në Facebook, i pari i Llapit ka shtuar se sulmi me armë veçmas ndaj organeve të sigurisë, siç ka thënë ai, është i papranueshëm.

“Kam pranuar informatën se gjatë mbrëmjes në fshatin Dobërdol janë sulmuar me armë zjarri pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Sulmi me armë zjarri ndaj kujtdo qoftë është akt i papranueshëm, e veçmas kur ndodhë ndaj organeve të rendit. Me këtë rast e dënoj ashpër sulmin e sontëm ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Dobërdol”, ka shkruar ai në Facebook.

Një vjedhje ka ndodhur sonte rreth orës  18:00 në fshatin Dobërdol të Komunës së Podujevës.

Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti. Kjo e fundit ka shtuar se policët u gjuajtën me armë zjarri nga hajnat, të cilët janë futur me forcë brenda një shtëpie në këtë fshat.

“Rreth orës 18:20, kemi pranuar informatën se në një shtëpi në fshatin Dobërdol të Podujevës, me forcë janë futur katër persona të dyshuar. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Në ikje e sipër njëri nga personat e dyshuar ka shtënë me armë zjarri, nuk raportohet për persona të lënduar”, tha ajo.

Aktualisht, sipas Ahmetit, Policia janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar./Llapi.info