Kosovarët nuk po heqin dorë nga mjedra, pavarësisht çmimeve të ulëta. Ata po vazhdojnë që t’i mbjellin tokat e tyre me këtë kulturë. Në Ministrinë e Bujqësisë deklarojnë se sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë shkon në mbi 1 mijë e 500 hektarë, derisa thonë se edhe këtë vit do të subvencionohen të gjithë ata që e kultivojnë. Ndërkohë, në Shoqatën e Bujqve thonë se të rrallë janë ata që kanë pasur leverdi nga kultivimi i kësaj kulture.

Pavarësisht çmimeve të ulëta e mungesës së punëtorëve, fermerët e vendit nuk po heqin dorë nga kultivimi i mjedrës. Madje, në tri vitet e fundit sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë vetëm ka shkuar duke u rritur.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i kanë thënë Gazetës Express se këtë vit me mjedër janë mbjellë rreth 1 mijë e 500 hektarë me mjedër.

Sipas të dhënave të Ministrisë, kjo kulturë kultivohet më së shumti në Podujevë, derisa llojet më të shpeshta që kultivohen janë Pollka, Willamette dhe Miker.

Bazuar në këto të dhëna sipërfaqja e mbjellë me mjedër ka shkuar duke u rritur me kalimin e viteve. Derisa në 2016’ën ishin mbjellë rreth 800 hektarë me mjedër, vitin e kaluar sipërfaqja është rritur pothuajse dyfish.

“Sipërfaqja e mbjellë me mjedër për vitin 2018 është 1,537 ha. Komunat që kanë sipërfaqe më shumë të mbjellë me mjedër janë: Podujevë, Shtërpca, Ferizaj, etj”, thonë në MPBZHR.

Por, pavarësisht se sipërfaqet janë rritur, rendimenti ka rënë.

“Në vitin 2016 – sipërfaqja ka qenë 797 ha, rendimenti 7,84 t/ha; Në vitin 2017 – sipërfaqja ka qenë 1,231 ha, ndërsa rendimenti 6,30 t/ha; Në vitin 2018 – sipërfaqja ka qenë 1,537 ha, rendimenti 5,38 t/ha”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

Ndërkohë, dhe këtë vit të gjithë ata që kanë mbjellë tokat e tyre me këtë kulturë do të përkrahen nga shteti.

Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se përfitues të subvencioneve do të jenë të gjithë fermerët të cilët kanë mbjellë mjedër me sipërfaqe së paku 0,20 ha dhe që kanë shitur së paku 1,500 kg fruta të mjedrës në pikat grumbulluese dhe të cilët i plotësojnë kriteret e parashtruara në program.

“Deri këtë vit, kultivuesit e kulturës së mjedrës janë subvencionuar me 400 €/ha, ndërsa këtë vit bazuar në Programin e Pagesave Direkte subvencionimi i fermerëve kultivues të mjedrës do të bëhet për kg të frutave të mjedrës të shitur/dorëzuar, në vlerë prej 0,08 €/kg”, thuhet në përgjigjet e MBPZH’së.

Grumbullimi i kësaj kulture ka filluar tashmë. Kompani që bëjnë grumbullimin e mjedrës kanë publikuar nëpër faqet e tyre në rrjetet sociale edhe çmimet për kilogram që sillet rreth 1 euro.

“Kemi filluar me grumbullimin e Mjedrës me çmimin 1.3€/kg. Ju dëshirojmë një sezone te frytshme dhe suksesshme”, thuhet në njoftimin e një prej kompanive.

Por, në Shoqatën e Bujqve të Kosovës deklarojnë se nuk ia vlen që të mbillen sipërfaqe me mjedër marrë parasysh çmimet dhe manipulimet që bëhen në pika grumbulluese.

Kryetari i kësaj shoqate, Tahir Tahiri i ka thënë Gazetës Express se të rrallë janë ata që kanë pasur leverdi nga kultivimi i kësaj kulture.

Deklaron se Serbia po i lufton edhe në këtë aspekt, derisa përmend edhe rastin e fidanëve të infektuar që kishin ardhur nga ky shtet.

“Serbia iu ka dhanë fidanë të infektuara dhe Serbia e menaxhon krejt këtë kampanjë të kultivimit të mjedrës. Serbia po na lufton edhe në këtë formë. Serbia është rekordmen në Evropë për kultivimin e mjedrës. Mirëpo, e ka udhëheq një politikë na ka shti në këtë projekt edhe na ka shkatërruar. Subvencionet janë keqpërdorë për interesa të të korruptuarve. Rrallë ka ndonjë fermerë që ia ka arrit me mbijetu dhe me pas leverdi prej prodhimtarisë së mjedrave. Përveç atyre që kanë pas një fuqi të madhe punëtore familjare sepse të tjerët kanë dështu”, shpjegon ai.

Tahiri tregon edhe për problemet që ka sjellë kultivimi i mjedrës te bujqit dhe çmimet për kilogramë ndër vite.

“Mjedrra ka kriju probleme të mëdha te bujqit, sepse në njëfarë forme i kanë manipulu. Ka ra çmimi shumë, pikat grumbulluese kanë krijuar probleme. Ka qenë 2 euro e 70 cent kilogrami, tash ka ra në 80 cent. Ka probleme të mëdha në pranim dhe grumbullim , s’ka fuqi punëtore, të rinjtë dolën jashtë”, ka thënë Tahiri për Express.

Ndryshe, që nga viti i ardhshëm, qytetarët do të duhet t’i paguajnë tatim shtetit për tokën që nuk e punojnë. Gjithë kjo meqenëse institucionet e Kosovës po planifikojnë që nga viti 2020 të nisin aplikimin e tatimit për të gjitha tokat bujqësore të cilat nuk punohen.

Por, se sa do të jetë pagesa për tokat e papunuar ende nuk dihet, pagesë që do të përcaktohet nga Kuvendet Komunale. Ndërkohë, në Shoqatën e Bujqve kanë thënë se nuk e përkrahin këtë projekt.