Uashington, 25 prill – Ish-zëvendës ndihmësi e sekretarit amerikan të Shtetit për Europë e Euroazi, Brian Hoyt Yee ka thënë se takimi i Berlinit, më 29 prill, nuk do të jetë “Sot, o kurrë!” për dialogun midis Kosovës e Serbisë.
Hoyt Yee tha se takimi i presidentëve të Serbisë e të Kosovës, Aleksandar Vuçiqit, përkatësisht Hashim Thaçit, në Berlin me kancelaren gjermane Abgela Merkel dhe presidentin francez, Emanuel Macron nuk është vendimtar për dialogun midis Prishtinës e Beogradit, por është një rast për bisedim, transmeton Koha.net raportimin e “Zërit të Amerikës” në gjuhën serbe nga takimi në Uashington, me temë “Zgjidhja e të pazgjidhurës në Ballkanin Perëndimor”.
“Ua njoh meritat Gjermanisë dhe vendeve të tjera që vazhdojnë edhe më tutje të roganizojnë takime të tilla në të cilat diskutohet për hapat e ardhshëm. Shpresoj se do të diskutohet sinqerisht dhe hollësisht rreth ahapave të ardhshëm të Serbisë e të Kosovës dhe se do të ndodhë ndonjë përparim, diçka e re… Mendoj se ajo që është folur për ndarjen e territoreve në vija etnike nuk është gjë e mirë, as pragmatike, as politike, as diplomatike, nuk është diçka për të cilën duhet të bisedohet”, citohet të ketë thënë Hoyt Ji.
Ai po ashtu është shprehur se Serbia duhet të përcaktohet qartë nëse dëshiron të shkojë nga Bashkimi Europian apo Rusia, meqë nuk është e mundur të synosh anëtarësim në dy organizata të ndryshme në të njëjtën kohë.
Ji ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare momentalisht nuk ka strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe se edhe BE, edhe SHBA nuk po i kushtojnë rëndësinë që do të duhej, ndërsa ka rëndësi që BE dhe SHBA të kenë qasje unike ndaj tij.
“Duhet ta dimë se nëse nuk reagojmë menjëherë, gjërat do të përkeqësohen”, ka thënë ai