Aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës. Ato zakonisht ndodhin si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm gjatë ditës së djeshme në komunën e Vitisë janë shënuar tri aksidente në komunikacion, prej ku kanë mbetur të lënduar shtatë persona.

Sinjali mëson se në orën 14:40 një shofere ka shkaktuar vetaksident në rrugën Kllokot – Viti, ku si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Për shkak të lëndimeve të marra, 28-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Spitalin rajonal në Gjilan.

E gjysmë orë më vonë në të njëjtën komunë u shkaktua një aksident tjetër me lëndime, ku në rrugën ‘Adem Jashari’, u ndeshën dy vetura prej të cilave mbetën të lënduar pesë persona. Sipas burimeve të Sinjalit, edhe këtu deri te aksidenti ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Të gjithë personat e lënduar janë dërguar në Emergjencën e Gjilanit për tretman mjekësor.

E një aksident tjetër ndodhi pak më vonë në fshatin Binqë, ku u përfshinë një veturë dhe një motoçikletë. Si pasojë e këtij aksidenti është lënduar një person, i cili po ashtu kërkoi ndihmë mjekësore në Spitalin e Gjilanit.