Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar sot me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Në këtë takim është diskutuar për lehtësimin e qasjes së pensionistëve në marrjen e pensioneve.

Me këtë rast, të dyja palët janë dakorduar për mekanizmat që do t’u mundësojnë të gjithë pensionistëve në Republikën e Kosovës, tërheqjen e pensioneve dhe kryerjen e shërbimeve tjera përmes kartelave bankare.

Këto masa do t’u mundësojnë pensionistëve që të shmangin rrezikun e ekspozimit ndaj Covid-19 dhe rreziqeve tjera shëndetësore përmes pritjeve të gjata nëpër sportele bankare.

Gjithashtu Guvernatori Mehmeti dhe ministri Reçica u pajtuan për të filluar diskutimin për gjetjen e mundësive për t’i liruar plotësisht pensionistët nga të gjitha tarifat e tanishme që bankat aplikojnë.