Futja e taksave prej 100% ndaj mallrave që vijnë nga Bosnjë-Hercegovina në Kosovë është një masë më shumë me karakter politik sesa ekonomik, thonë ekspertët në Sarajevë. Ndërsa çmimin do ta pagujnë të pafajshmit.
“Nëse situata e krijuar nuk zgjidhet shpejt, prodhuesit e qumështit Milkos nuk do ta planifikojnë Kosovën si treg për dërgimin e mallit në vitin 2019”, thotë drejtori i qumështores në Sarajevë, Adin Fakiq. Vendimi i Kosovës nuk do të prekë vetëm qumështoren Milkos, por edhe prodhues të tjerë në Bosnjë-Hercegovinë, në veçanti ata nga Federata boshnjako-kroate, të cilët eksportojnë më së shumti në Kosovë. “Ne jemi eksportuesit më të mëdhenj nga Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë dhe ky vendim do të na dëmtojë më së shumti”, thotë drejtori i Milkos.
„Kur kemi parasysh përçarjet në B-H në raport me Kosovën, atëherë nuk mund të pritet ndonjë mbështetje aktive e shteitit për prodhuesit në këtë vend, ndonëse ministri i Tregtisë dhe Ekonomisë Mirko Sharoviq ka premtuar mbështetje. Fati i mirë është që tani po afrohet fundi i vitit, por ne me siguri që do të jemi të kujdesshëm, pas vendimeve të fundit në Prishtinë”, pohon Fekiq.
Kosova treg i rëndësishëm për Bosnjë-Hercegovinën
Drejtori i Milkos thotë se Kosova është një treg i rëndësishëm për qumështoret në Bosnjë-Hercegovinë. “Prodhimi i qumështit në Bosnjë-Hercegovinë mund të ndërpritet, në qoftë se kemi tepricë, sepse këtu nuk kemi pajisje për mallrat rezervë. Ndaj çdo treg, pra edhe ai i Kosovës, është shumë i rëndësishëm për Bosnjë-Hercegovinë”, thotë Fekiq. Autoritetet në Prishtinë kanë ndërmarrë masën e ngritjes së taksave 100% për mallrat e Serbisë dhe B-H, për shkak të “destruktivitetit të Serbisë dhe B-H dhe cënimit të sovranitetit të Kosovës”. Një ndër shembujt e fundit të shantazhimit është votimi i Serbisë dhe B-H në Dubai kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Argumentet nga Kosova
Kosova pohon se po i zbaton në mënyrë të denjë marrëveshjet e CEFTA-s dhe se Serbia dhe B-H janë ato që po i shkelin. B-H akuzohet për futjen e pengesave të ndryshme për mallrat që vijnë nga Kosova, siç janë mosnjohja e çertifikatave dhe dokumenteve, analizave për prejardhjen e mallit dhe mosdhënia e lejeve për prodhimet farmaceutike nga Kosova.
Analistët në Sarajevë thonë se masat e fundit do të dëmtojnë më së shumti qytetarët e Kosovës, e më pas edhe eksportuesit në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi. Ekonomisti Admir Çavaliq thotë se Bosnjë-Hercegovina në vitin 2017 ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 163.564.108 marka konvertibile (rreth 81 milionë euro), ndërsa ka importuar 15.834.838 marka (rreth 7,5 milionë euro).
Ekonomia kosovare ka nevojë për lëndë të parë nga Bosnjë-Hercegovina
„Ndër prodhimet më të eksportuara në Kosovë janë ato të metalit dhe xeheve, për të cilat ka nevojë ekonomia e Kosovës. Heqjen e taksave me siguri do të kundërshtojnë prodhuesit që varen nga lëndët e para të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Ndaj mendoj se këto masa nuk janë të qendrueshme dhe në kundërshtim me CEFTA”, thotë Çavaliq. Sipas tij, prodhuesit nga Bosnjë-Hercegovina, pas futjes së taksave nuk do të jenë të aftë të konkurrojnë në tregun kosovar. Kjo më së shumti e prek Federatën, sepse Republika Srpska nuk ka ndonjë marrëdhënie të rëndësishme tregtare me Kosovën.
Kosova ndoshta ka të drejtë
„Është e mundur që argumentet e Kosovës të jenë të vërteta, kur bëhet fjalë për pengesat për mallrat e këtij vendi në Bosnjë-Hercegovinë. Këto masa merren vetëm ndaj mallrave të Kosovës. Por nuk qëndrojnë argumentet se ne po përpiqemi të ulim çmimet përmes ndihmës së shtetit, siç thonë prodhuesit në Kosovë”, thotë Çavaliq. Ndërsa analisti politik Xhevad Kuçukaliq pohon se masat e fundit janë më shumë politike sesa ekonomike.
„Bosnjë-Hercegovinë nuk e njeh shtetin e Kosovës ndaj edhe raportet mes Sarajevës dhe Prishtinës janë të tensionuara. E gjitha ka eskaluar pas votimit të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Ndonëse ekziston marrëveshja që Bosnjë-Hercegovina në rastet e tilla të abstenojë nga votimi, në Dubai delegacioni i Bosnjë-Hercegovinës, respektiviht ministri i Sigurisë Dragan Mektiq, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës”, shpjegon ai.
Kuçukaliq pohon se çmimin më të lartë do të paguajnë të pafajshmit, pra qyetarët e Kosovës dhe prodhuesit. Autoritetet në Sarajevë kanë bërë të ditur ndërkohë se nuk do të ndërmarrin masa kundër Kosovës, por do të kërkojnë që Prishtina t’i heqë këto masa “diskriminuese”./DW/