Lokale - eSIMy

Reshjet e borës me intensitet të larë gjatë mbrëmjes të së dielës, kanë bërë që në shumë pjesë të Komunës së Podujevës të vështirësohet qarkullimi, shkruan Llapi.info.

Gjendje më e rënduar paraqitet në fshatra. Në shumë prej tyre është duke u punuar që të pastrohen, derisa në fshatin Miroc dhe Shtedim rrugët thuajse janë të pakalueshme. Kështu kanë thënë banorë të këtyre zonave për Llapi.info. Ata kanë kërkuar intervenim të menjëhershëm.

Sipas tyre, nga bora e madhe është bllokuar edhe një veturë e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, komunarët kanë thënë se puna për t’i pastruar rugës është duke vazhduar në mënyrë intensive. Madje, ata kanë thënë se të gjithë qytetarët mund t’i paraqesin shqetësimet e qytet në platformën “Alo Komuna”.

“Jemi duke përcjellë nga afër kompanitë që janë të obliguara të bëjnë pastrimin e rrugëve, qytetarët janë duke adresuar vazhdimisht shqetësimet e tyre aty ku nuk janë pastruar ende rrugët. Kompanitë e kontraktuara nga Komuna për pastrimin e rrugëve janë në terren dhe po punojnë me kapacitete të plota. Qytetarët ankesat e tyre mund t’i paraqesin edhe tek Qendra e Thirrjeve “Alo Komuna”. Reshjet e dendura të borës që nga mbrëmë e kanë vështirësuar qarkullimin, por ne po punojmë intensivisht që të ketë qarkullim normal në trafik dhe mos të bllokohet asnjë qytetar dhe veturat të lëvizin lirshëm”, është shprehur për Llapi.info, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia./Llapi.info