Rrallëherë mund të shohësh momente qesharake në një sport të dhunshëm e po aq burrëror, siç është ai i boksit, ndaj kur ndodhin janë për t’u mbajtur mend.
Para nisjes së duelit midis Curtis Harper dhe nigerianit Efe Ajagba, çdo gjë po shkonte mirë, por gjithçka ndryshoi në pak minuta.
Të dy boksierët hynë në ring dhe dëgjuan arbitrin teksa jepte udhëzimet, përplasën edhe duart me njëri-tjetrin, por në momentin që ra gongu për të filluar sfida, Harper ka dalë nga ringu dhe ka ecur në drejtim të daljes.
Menjëherë ka reaguar publiku, duke lëshuar disa “booo” në drejtim të Harper, por përsëri ai nuk u kthye, ndërsa mësohet se largimi i tij lidhet me pakënaqësi financiare.
Gazetari i PBC, Jordan Hardy, që ka biseduar me Harper pas incidentit, ka thënë se boksieri ndihej i pavlerësuar në nivel financiar, ndaj ka vendosur të mos boksojë.






