Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shkruar për takimin që e pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Departamentin e Shtetit në Washington D.C.

Blinken përmes Twitterit tha se SHBA-të mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës si dhe dialogun me Serbinë.

Bliken përmendi dhe falënderoi sërish Kosovën për mikpritjen dhe strehimin e afganëve.

“U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.

Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu ka lëshuar një njoftim pas takimit në Washington, të Sekretarit Antony Blinken me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Aty u potencua se në takim është folur për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja e i cili duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka takuar sot presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington DC. Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Sekretari falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve. Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qendër njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH.

Që të dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë quajtur të shkëlqyeshëm, të përzemërt e fort të dobishëm, takimin që kanë pasur të martën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Departamentin e Shtetit.

Në një deklaratë për gazetarët pas takimit, Osmani ka thënë se në këtë takim u rikonfirmua edhe një herë që “Kosova s’ka mik më të madh, më të mirë e më të fuqishëm sesa SHBA-ja”.

Osmani u shpreh se në takim me Blinkenin u diskutua për të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e nevojshme nga SHBA-ja.