Lokale - eSIMy

Në Podujevë janë regjistruar sot edhe shtatë raste të reja pozitive me COVID-19, pas testimit të 28 mostrave, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), 2 raste janë në qytet, 2 në Dumnicë të Epërme dhe me nga një rast në fshatrat; Shajkoc, Bellopojë dhe Llapashticë e Epërme.

Pas disa javësh, tashmë numri i rasteve aktive në këtë komunë ka rënë nën 100. Kështu ka deklaruar për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

Sipas Ramës, aktualisht në Podujevë aktivë me virusin korona janë edhe 93 qytetarë, kurse janë shpallur të shëruar mbi 400 pacientë.

Që nga 15 marsi, kur edhe është konfirmuar rasti i parë pozitiv në Llap, janë testuar 1.760 qytetarë, prej tyre 522 kanë rezultuar pozitivë për virusin korona. Në Podujevë janë raportuar edhe për 14 të vdekur, të cilët përveçse kanë qenë të prekur me koronavirus, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar në 24-orët e fundit tetë viktima me koronavirus, duke e çuar numrin total të tyre në 516.

Të dhënat e së dielës kanë treguar edhe për 119 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 460 mostrave.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për 13.334 të infektuar me këtë virus. Deri më tani janë testuar gjithsej 50.683 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Aktualisht në Kosovë janë edhe 3.345 raste aktive./Llapi.info