Për dhjetë vjet në Kosovë, numri i nxënësve ka rënë për 26 përqind. Në bazë të të dhënave për 19 komuna, janë 340 klasa më pak që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se dhjetë nxënës. Pavarësisht numrit të vogël të nxënësve, gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje e numrit të mësimdhënësve për 2 për qind.

Kështu thuhet në raportin e Institutit GAP, me temën “Shkolla të tepërta? Ristrukturimi i rrjetit të institucioneve edukativo-arsimore para-universitare”.

Është kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) që sa më parë të bëhet studimi i detajuar për riorganizimin e shkollave me pak nxënës, ashtu siç parashihet në memorandumin e nënshkruar me Komunën e Kamenicës.

Hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Bekim Salihu ka theksuar se nga viti shkollor 2008-2009 deri në vitin 2019-2020 ka pasur rënie të lartë të numrit të nxënësve. Derisa ka pasur rënie të numrit të nxënësve, Kosova ka shënuar rritje për 2 përqind të mësimdhënësve.

“Krahasuar me vitin 2010-2020, numri i nxënësve në nivel të komunave të Kosovës ka rënë për 114 mijë. Në vitin 2010 kemi pasur rreth 444 mijë nxënës, ndërkaq në vitin 2020 kemi 330 mijë nxënës. Çka flet për një rënie të numrit të nxënësve për 114 mijë. Ministria e Arsimit përveç kompetencave të bazës ligjore dhe hartimit të strategjive dhe planeve konkrete, është koncentruar gjatë këtyre ditëve edhe në ndërtimin e objekteve shkollore. Instituti GAP ka gjetur që në vitin 2015 deri në vitin 2020 ka investuar 134 milionë euro”, ka theksuar Salihu.

Salihu shton se Fushë Kosova, Zveqani dhe Novobërda ka rritje të numrit të nxënësve, por të gjitha komunat tjera kanë shënuar rënie. E rënien më të madhe e ka komuna e Kamenicës me 44 për qind.

“Shqetësuese është fakti që raporti ka gjetur që nga 19 komuna që ne i kemi marrë si target studimi në këtë raport, 340 klasë kanë më pak se 5 nxënës, ose kanë deri në 5 nxënës. Pra në 19 komuna, 340 klasë kanë më pak se 5 nxënës. Ndërkaq, 642 klasë kanë deri në 10 nxënës. Çka flet raporti që në 19 komuna janë rreth 1000 klasë që kanë më pak se 10 nxënës”, shton ai.

E, drejtoresha e Departamentit për Arsimin Parauniversitar në MAShTI, Shqipe Bruçi shtoi se rënia e numrit të nxënësve është e koncentruar më shumë në zona rurale.

“Nuk është rasti i parë që komuna e Kamenicës mbyll shkolla, një gjë që nuk ka ndodhur në komunat tjera. Në qoftë se i referohemi statistikave, në vazhdimësi kemi paralele të ndara. Komunat kanë bërë një mbyllje te paraleleve të ndara, zvogëlim të këtyre paraleleve bazuar në numrin e nxënësve që kanë në ato paralele. Mirëpo, ndoshta mbyllja e tyre nuk ka qenë pa një diskutim paraprak… Në vitin 2018-2019, paralelet e ndara i kemi pasur 332, ndërsa në vitin 2019-2020 i kemi 309 paralele të ndara. Çka do të thotë se është zvogëluar një numër i paraleleve për 23 paralele”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili së fundmi kishte marrë vendim për mbylljen e disa objekteve shkollore, tha se ka pasur një rezistencë të madhe të qytetarëve për këtë reformë.

Madje, sipas tij vendimi lokal është tentuar që të pengohet nga niveli qendror.

“Na doli që në komunën e Kamenicës, shtatë shkolla i kanë më pak se 5 nxënës. Njëra prej tyre, 4 nxënës, mbi 15 punëtorë arsimorë që punonin. Ishin gjithsejtë 12 shkolla që i kishin më pak se 20 nxënës. Tri prej tyre deri në 20, dhe tri tjera deri në 70. Mbi 50 për qind e objekteve shkollore në komunën e Kamenicës i kishin më pak se 70 nxënës… “25:00” Për neve kanë qenë tri sfida kryesore, është transporti, por ka dalë që gjithçka është për brenda masave, distanca më e madhe është 40 minuta edhe gjithashtu kosto që komunës i kushtonte rreth 300 mijë euro. Ndërsa, mësimdhënësit shtesë që i paguanim ishin mbi 1 milionë e 600 mijë euro”, potencoi ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit, reformën në Kamenicë e kishte quajtur shkelje të të drejtave të fëmijëve. Avokati i Popullit, Naim Çelaj në tryezën e organizuar nga GAP u shpreh se kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet kompetente, raporton KP.

“Qasja e Avokatit të Popullit nuk ndryshon, është e njëjtë. Megjithëse faktet e reja të cilat po prezantohen çdo ditë tregojnë që të merren masa urgjente dhe për të ndërhyrë në nivel vendi. Sepse, masat selektive të komunave mund të sjellin probleme të kësaj natyre. Ku edhe trajtimi i nxënësve nuk do të jetë i barabartë”, u shpreh ai.

Në raportin e Institutit GAP theksohet se dokumentet strategjike të MAShTI, si Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 dhe strategjia e sigurimit të Cilësisë për Arsimin Para universitar 2016-2020 nuk e trajtojnë fare problemin e rënies së numrit të nxënësve, shkollat dhe klasat me pak nxënës. Po ashtu as uljen e proporcionit nxënës-mësimdhënës.