Demokrati Joe Biden është vënë të premten buzë fitores në betejën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ka thelluar epërsinë e tij kundruall presidentit Donald Trump në shtetet vendimtare të Pennsylvanias dhe Georgias tri ditë pas votimeve.
Bideni mban epërsinë me 264 votat e Kolegjit Elektoral dhe në rast se i siguron edhe 20 votat e elektorëve në Pennsylvania, ish-nënpresidenti amerikan merr më shumë se 270 vota elektorale që i duhen për ta siguruar presidencën. Ai mund t’i fitojë zgjedhjet edhe në rast se i merr dy prej tri shteteve të tjera kyç të garës, ku të premten ka kaluar në epërsi ndaj Trumpit: Georgian, Arizonan dhe Nevadan. Njëjtë sikurse Pennsylvania, që të tria këto shtete janë ende duke i numëruar votat.
Ndërkohë, Trumpi ka shfaqur shenja të pakta të gatishmërisë për pranimin e disfatës së mundshme, duke bërë të qartë nëpërmjet një deklarate, të premten, se do të vazhdojë të insistojë në pretendimin e tij të paqëndrueshëm për mashtrim me vota.
“Që nga fillimi kemi thënë se të gjitha vota ligjore duhet të numërohen dhe të gjitha votat e paligjshme nuk duhet të numërohen, megjithëkëtë jemi ballafaquar me rezistencën e demokratëve në këtë parim thelbësor”, ka thënë ai nëpërmjet një deklarate të publikuar nga fushata e tij. “Do ta ndjekim këtë proces nëpërmjet çdo aspekti ligjor, për të garantuar që populli amerikan të ketë besim në Qeverinë tonë”, ka thënë Trump.
Deklarata u publikua një ditë pasi që Trumpi, në cilësinë e një presidenti në detyrë, e ndërmori një sulm të jashtëzakonshëm ndaj procesit demokratit, duke dalë të enjten mbrëma para Shtëpisë së Bardhë për të adresuar pretendime të paqena se zgjedhjet “i janë vjedhur”.
Si në Pennsylvania, ashtu edhe në Georgia, Bideni ka përmbysur epërsinë e Trumpit derisa zyrtarët kanë numëruar me mijëra votat me postë që janë dhënë në vatrat urbane tradicionalisht demokrate, si Philadelphia dhe Atlanta.
Numri i madh i votave të dhëna nëpërmjet rrugëve postare ka ngadalësuar procesin e numërimit në një sërë shtetesh, në një rikujtues të ri se pandemia do të mbetet sfida më e madhe e presidentit të ardhshëm amerikan.