Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka prezantuar edhe një kandidat për asamble komunale, shkruan Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se kandidat nga partia e Ramush Haradinaj do të jetë edhe Inxhinieri i Trafikut dhe Transportit Rrugor, Arbnor Fazliu.

“Arbnor Fazliu nga Fshati Dumnicë e Epërme, ka diplomuar në Inxhinieri të Trafikut dhe Transportit Rrugor, i licencuar për instruktor të shoferëve dhe në proces të licencimit për ligjërues të autoshkollave. Arbnori, do të jetë pjesë e ekipit për infrastukturë dhe kandidat për asamble komunale. Ai do të angazhohet në analizën e mobilitetit urban, duke përfshirë linjat e trafikut urban dhe ndërurban, organizimin e sistemit të rrugëve, parkingjet publike dhe parkingjet me ndalesa të shkurta afër shkollave. Arbnori do të bëjë indentifikimin dhe eliminimi e pikave kritike të rrezikut në rrugë, për të parandaluar humbjen e jetëve. Ndërtimi i sheshit, ka rënduar trafikun dhe qasjen e qytetarëve në shërbime, ndërkaq secili prind në qytet është në hall me dërgimin/marrjen e fëmijëve në shkollë, ne do të prodhojmë zgjidhje me ndalesa të shkurtëra, transport për fëmijë”, ka shkruar Tahiri.

“Ne do të prodhojmë zgjidhje të qëndrueshme për përgjigjet e banorëve në objektet kolektive, nëpëmjet menaxhimit me ndërrmarrjen publike. Na duhet shumë punë e përkushtim në mobilitetin e qytetit, për t’iu ikur inskenimeve që t’u lehtësohet jeta banorëve, vizitorëve e diasporës. E gjithë kjo do të arrihet me vullnetin dhe përkushtimin e ekipit tim për përmisimin e jetës së banorëve të Podujevës”, ka shkruar ai.

Duhet theksuar se përveç Tahirit, kandidaturën për kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor e ka zyrtarizuar edhe Xhemajl Hasani nga Nisma./Llapi.info