Besnik Tahiri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, në kuadër të angazhimit të tij në cilësinë e këshilltarit të lartë të NDI Amerikan për Jordani, ka realizuar sot një prezantim para Oborrit Mbretëror, Ministrave dhe Parlamentarëve analizën lidhur me procesin e Decentralizimit.
Veç kësaj Tahiri ka bërë të ditur se ka ofruar edhe rekomandime për hapat e mëtejmë që duhet ndjekur në këtë fushë.
”Analiza profesionale bazohet në përmbledhjen e të gjeturave të dala nga takimet konsultative nëpërmjet platformës nacionale të dialogut për decentralizim që janë hartuar nga akterët vendorë, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile”.
Në cilësinë e këshilltarit të lartë të NDI Amerikan në Jordani, ai thotë se Këshilli ndër-ministror qeveritar ka paraqitur një plan me rezultate të qarta që pritet të zbatohen gjatë vitit 2019.
”Në rend të dytë theksova se Parlamenti dhe Qeveria duhet të bashkëpunojnë ngushtë në diskutimet për amendamentimin e legjislacionit dhe po ashtu domosdoshmërinë që i gjithë procesi të vazhdojë të ndiqet nëpërmjet platformës nacionale të dialogut për decentralizim”
Ai thotë se ky prezantim u përmbyll duke pohuar se një proces i strukturuar mirë i dialogut në mes institucioneve dhe qytetarëve është instrument kyç për të prodhuar politika të mirë informuara në pronësi të publikut dhe rritjes së besueshmërisë.






