Lokale - eSIMy

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencë për media të dielën ka folur për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kushtetutesja rrëzoi pak ditë më parë Ligjin për KPK-në.

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuesese rreth Ligjit për Këshillin Prokurorial e vërteton se antikushtetutshmëria në këtë Qeveri është duke u bërë normë e standard qeverisës, e në të njëjtën kohë vlerësimi dhe komentimi që vjen prej anëtarëve të qeverisë tregon mospërfilljen dhe qasjen autoritare që Qeveria e ka. Është e pakuptimtë dhe njëkohësisht e patolerueshme që një Qeveri për çdo vendim të Kushtetueses të ketë qëndrime politike dhe njëkohësisht të shtynë ligje që i ka kontestuar Komisioni i Venecias, dhe instanca jopolitike, joqeveritare të nivelit vendor e ndërkombëtar, dhe ato prapë të mundohen e shtyhen në miratim.

Nuk ka asgjë tjetër në synim përveç se përmes ligjeve që bëhen të kapen institucionet e pavarura, institucione që në esencë e kanë mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit institucional e qeverisës në vend. Kjo logjikë duhet të ndahet, e një herë e përgjithmonë të kthehet te e drejta kushtetueses e ndarjes së pushteteve”, tha Tahiri.

Ai ka bërë thirrje që “Qeveria të ngrejë kujdesin në maksimum e të mos rrezikohen të arriturat demokratike”.