Lokale - eSIMy

Kanal10 një ditë më parë raportoi për rastin e Besart Sejdiut nga Podujeva, të cilit i ishte ndalur pensioni nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Ai kishte mbetur në gjendje të rëndë financiare, pasi nuk kishte asnjë të ardhur tjetër, përveç këtij pensioni prej 100 eurosh. Por, një ditë pas raportimit të televizionit, rasti i tij ka marr rrjedhë tjetër, ku përveç që i është njohur e drejta e pensionit, për ta ndihmuar atë janë paraqitur edhe disa donatorë, shkruan Kanal10.

Një ditë pas raportimit të Kanal10, jeta e Besart Sejdiut nga Sibovci i Podujevës, i cili vuan nga epilepsia, ka marr rrjedhë tjetër.

Pasi shteti atij ia kishte ndalë pensionin, 21 vjeçari bashkë me nënën e tij kishin mbetur pa asnjë të ardhur, duke pasur probleme serioze për mbijetesë dhe trajtimin e sëmundjes.

Por, pas interesimit të televizionit, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kanë thënë se Sejdiut i janë deponuar paratë e pensionit, për dy muajt e fundit që nuk i kishte marr.

Nga kjo ministri kanë thënë se e kanë anuluar vendimin paraprak të komisionit, me të cilin atij i ishte ndal e drejta e pensionit në shumë prej 100 eurosh, me arsyetimin se është i aftë të punojë.

Departamenti për pensione në Ministrinë e Financave ka thënë se komisioni tashmë ka vërtetuar gjendjen e Sejdiut dhe se shumën për dy muaj, mund ta tërheq nga banka.

“Ky rast ka hyrë në pagesë në skemën e PPAK pas rivlerësimit me datë 12.09.2022. Për muajin Gusht dhe Shtator mjetet i ka në bankë”, tha Skënder Asllani – Zyrtar i Departamentit të Pensioneve në MFPT.

Nga kjo ministri kanë thënë se pse është vonuar pensioni i dy muajve ka qenë si pasojë e nevojës së përditësimit të të dhënave për Sejdiun.

Se paratë tashmë ai i ka në xhirollogari, e kanë konfirmuar për Kanal10 edhe nga banka Raiffeisen.

E këtij lajmi i është gëzuar 21 vjeçari.

Përveç kësaj, pas raportimit të Kanal10, janë paraqitur edhe donatorë të ndryshëm, që kanë shprehur interesim për t’i ndihmuar 21 vjeçarit që t’i sigurojë barnat e nevojshme për trajtimin e sëmundjes. /Gazeta10