Lokale - eSIMy

Një person është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të  qenve. Kjo u bë e ditur përmes një postimi të “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

Sipas njoftimit të tyre thuhet se personi i shpallur fajtor është dënuar me 300 euro.

“Në një aktgjykim të fundit, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve dhe e ka dënuar me gjobë prej 300 euro. Rasti është inicuar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga organizata jonë”, shkruhet në postim.

Tutje, nga kjo organizatë shprehen të zhgënjyer se rastet e luftimit të qenve po dënohen vetëm me gjobë.

“Ndonëse mbetemi të zhgënjyer që deri më tani, rastet e luftimit të qenve kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë, e vlerësojmë faktin që gjykata e ka njohur veprën e shkaktuar dhe ka konstatuar fajësinë e të pandehurit”, thuhet ne postim.