Rafa Benitez beson se Steven Gerrard e ka potencialin për t’u bërë trajner i Liverpoolit një ditë, duke shtuar se trajneri i Rangers mund të bëhet trajner i mrekullueshëm.
Ish-kapiteni i Anglisë tashmë vlerësohet si njëri ndër futbollistët më të mirë në histori të futbollit anglez, pasi që periudha e tij në “Anfield” e ka bërë atë favorit në mesin e tifozëve, transmeton Gazeta Express.
39-vjeçari pritet të kthehet në Liverpoolit në një pikë gjatë karrierës së tij, pasi që edhe vetë Jurgen Kloppi ka thënë se e konsideron Gerrardin si pasardhësin e tij më të mundshëm.
Benitezi është një tjetër person që beson se ish-kapiteni i Liverpoolit mund të triumfojë nëse kthehet si trajner në “Anfield”, pasi që beson se Gerrardi e ka dëshmuar me Rangers se mund ta përballojë presionin dhe të arrijë rezultate të mira.
Ish-trajneri i Liverpoolit Benitez, të cilit Gerrardi i ndihmoi ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 2005, u pyet për ambiciet e Gerrardit për të ardhmen e tij.
“Mendoj se ai ka potencial për t’u bërë trajner i mirë. Si tha ai në një intervistë, ai kishte fat që kishte trajnerë të ndryshëm dhe nga vende të ndryshme, që është diçka e mirë për zhvillimin e tij”, tha Benitez.
“Mendoj se ai mund të bëhet trajner i mrekullueshëm, veçse është duke bërë punë të mirë. Vetëm koha do të na tregojë se sa i mirë do të jetë ai”.
Gerrardi nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e tij për t’u bërë trajner i Liverpoolit në të ardhmen, duke thënë se do ta shijonte këtë mundësi nëse do t’i jepej.