Belgjika e ka regjistruar edhe fitoren e tretë në fazën grupore të ‘Euro 2020’ duke e mposhtur skuadrën e Finlandës.

Asgjë nuk ishte e vendosur në Grupin B deri në xhiron e fundit, meqenëse gjithçka ishte e hapur.

Gjysma e parë e zhvilluar në Saint Petersburg Stadium nuk prodhoi gola, megjithëse rastet nuk munguan për belgët.

Në minutën e 65-të, Romelu Lukaku e futi topin në rrjetë pas një asistimi të shkëlqyer nga Kevin De Bruyne, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Pas një harkimi nga këndi, portieri finlandez, Lukas Hradecky, në përpjekje që ta largonte topin e futi në portë (74’).

Nuk mund të mungonte goli i Romelu Lukakut (81’), i cili u asistua nga Kevin De Bruyne për ta realizuar golin e sigurisë.

(Foto: Twitter/Belgian Red Devils)

Tri ndeshje, tri fitore dhe nëntë pikë të arkëtuara – Belgjika vazhdon në 1/8 e finales si liderë e Grupit B.

Finlanda mbetet e treta në renditje me tri pikë dhe do të shpresojë për njërin nga katër vendet e për ekipet që ndodhen të pozicionuara në vendet e treta në grupe.