Është kompletuar delegacioni i Kosovës që do të udhëtojë për takimin e shtatorit në Uashington.
Në ekipin e kryeministrit Hoti do të jetë edhe nga një përfaqësues nga partnerët e koalicionit, AAK e Nisma, dhe një nga LDK-ja, por aty s’do të jetë askush nga opozita.
Këshilltari politik i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri, ka bërë të ditur se ekipi do të niset për në Uashington të hënën dhe se nuk do të ketë staf tjetër përcjellës, raporton KOHA.
“Ekipi që do të udhëtojë në Uashington përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, zv.kryeministri Driton Selmanaj, zv.kryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Arban Abrashi, dhe shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi”, ka thënë Beqiri.
E këtë përbërje e ka konfirmuar edhe shefja e stafit të kryeministrit, e cila do të marrë pjesë edhe vetë në delegacion, Ardita Dushi.
Delegacioni i Kosovës, që do të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit, për Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka legjitimitet.
Deputeti Liburn Aliu ka thënë se delegacioni i Kosovës karshi atij të Serbisë është më i dobët dhe i papërgatitur.
Se nuk pritet që në këtë takim të flitet vetëm për çështjet ekonomike e ka rikonfirmuar presidentit i Serbisë.
Ai në një emision në TV PINK ka thënë se pret “befasi” nga ky takim dhe se mendon që e di përmbajtjen e saj, porse nuk ka ende të dhëna zyrtare.
“Nuk jam i sigurt se do të ndalet këtu. Fatkeqësisht, nuhatja ime politike shpesh ndien lloje të ndryshme, surpriza të mundshme, kurthe dhe gjithçka tjetër. Unë pres surpriza. Unë nuk hezitoj ta them këtë dhe do t’i kërkoj falje administratës amerikane nëse nuk ndodh ashtu. Edhe nëse koka ime është në cung ose përpara çfarëdo lloj sfide me të cilat mund të përballemi, ne do të mbrojmë interesat tona kombëtare”, ka thënë Vuçiq.
Ditë më parë Vuçiq ka paralajmëruar se në takimin e 4 shtatorit mund të marrë pjesë edhe presidenti Donald Trump, nëse palët pajtohen për ndonjë prej temave të rëndësishme.
Pas takimit të Uashingtonit delegacionet pritet të takohen edhe në Bruksel më 7 shtator