Lokale - eSIMy

Bashkimi Evropian ka reaguar edhe njëherë pas tensioneve në javën e fundit në veriun e Kosovës.

Përmes një njoftimi zyrtar, BE ka kërkuar që situata të shtensionohet dhe kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri punën ta bëjnë në objekte alternative, e jo në ato komunale.

BE ka kërkuar nga Kosova që të tërheq forcat e rendit të cilat janë afër objekteve komunale ndërsa ka shprehur shqetësim edhe për ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë serbe.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të shtensionuar situatën do të çojë në pasoja negative. Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale” – thuhet në komunikatën e BE-së.

BE ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë “dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në komunikatë.

BE ka përmendur edhe urdhrin e presidentit serb, Aleksander Vuçiq që ushtria të rritë gjendjen e gatishmërisë.

“Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”, thuhet tutje ne komunikatën e BE-së.

Gjithashtu kanë kërkuar zbatimin e marrëveshjes themelore dhe Aneksit, me theks të veçantë Asociacionin, duke thënë se duhet fillojë themelimi pa vonesa dhe pa parakushte të mëtejshme.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri, siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në komunikatë.