Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se raporti i ri për Kosovën, i cili do ta mbulojë periudhën shkurt 2018 deri janar 2019 është në proces të hartimit dhe shprehu optimizmin se pas analizimit të të gjitha kontributeve, BE do të ketë mundësinë që prapë të prodhojë një raport tjetër gjithëpërfshirës i cili do t’i ndihmojë Kosovës më tej në rrugën e saj evropiane.
Ajo këto komente i bëri në takimin e fundit i Bordit të përbashkët bashkërendues për sundimin e ligjit, ku morën pjesë shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i KPK-së Blerim Isufaj.
Apostolova përgëzoi autoritetet e tjera të Kosovës të përfshira për përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e kritereve të Agjendës së Reformave Evropiane që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, duke theksuar se ajo që mbetet të bëhen në fushën legjislative është miratimi i shpejtë i dispozitave që kanë të bëjnë me suspendimin dhe shkarkimin e zyrtarëve publikë të akuzuar dhe të dënuar përkatësisht për korrupsion.
Ndërsa, shefja e Misionit EULEX e prezantoi Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte, i cili i përfshinë aktivitetet e BPSL-së gjatë periudhës korrik 2017-qershor 2018 dhe e bën përcjelljen e progresit të bërë nga institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në fushat me fokus të miratuara, përkatësisht atë të policisë, doganës, drejtësisë, dhe zbatimit të dialogut.
Papadopoulou e nënvizoi progresin e dukshëm të bërë nga homologët vendas për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke e theksuar rolin e rëndësishëm që BPSL-ja e ka luajtur përgjatë këtyre viteve si një mekanizëm efektiv për ta lehtësuar bashkërendimin në mes të aktorëve kryesorë vendas dhe të BE-së lidhur me çështjet më të rëndësishme, si dhe duke shërbyer si një katalizator për përmirësime në fushat më të rëndësishme.
“Pasi në qershorin që shkoi EULEX-i e përfundoi mandatin ekzekutiv të tij në sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe në mënyrë progresive është duke i ndryshuar përgjegjësitë e tij për ndërtimin e kapaciteteve në fushat tjera të rëndësishme të sundimit të ligjit, tani është koha dhe rendi që autoritetet e Kosovës ta marrin përsipër pronësinë e plotë mbi angazhimet për reforma që t’i bëjnë institucionet e tyre më të afta dhe më të qëndrueshme,” tha ajo.
Papadopoulou inkurajoi autoritetet e Kosovës që në kuadër të iniciativës Drejtësia 2020 ta vazhdojnë punën e mirë të bërë së bashku deri më tani nën ombrellën e BPPSL-së, veçanërisht në zbatimin e udhërrëfyesve të BPSL-së për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Panelit për Ankesave të Agjencisë Kosovare të Pronës, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Krimeve të Luftës.
Duke i parë gjetjet e Raportit të Progresit për Marrëveshjen Kompakte, Shefja e Misionit EULEX përmendi performancën dhe kapacitetet e rritura të disa institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit si Policia e Kosovës, Këshillat Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, si dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, që në veçanti ka mundësuar tërheqjen graduale të mbështetjes së EULEX-it e në anën tjetër mbështetjen në rritje në mjetet alternative të ndihmës.
Ndërsa, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka potencuar se Agjenda e Drejtësisë 2020 ka qenë e domosdoshme në qëllim të adresimit të çështjeve konkrete, të identifikuara gjatë viteve të fundit brenda sistemit të drejtësisë, me fokus në sistemin gjyqësor e prokurorial, të cilat në mënyrë absolute do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor.“Një mekanizëm i këtillë koordinues do të ndihmojë në qasje më të shpejtë, më moderne dhe më kualitative në qëllim të ngritjes së efikasitetit. Në këtë mënyrë, kjo agjendë do të ndihmojë procesin e Rishikimit Funksional, duke krijuar hapësirë për diskutime të temave të mëdha që kërkojnë hulumtim më të madh dhe diskutim më të detajuar brenda grupeve punuese”, tha ai.