Është etnia juaj ajo që përcakton se ku pini kafe në qytetin e Bujanocit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kështu të paktën shkruhet në një artikull të publikuar nga e njohura, BBC.

“Shqiptarët dhe serbët nuk përdorin të njëjtat kafiteri.Njerëzit këtu pinë kafe së bashku vetëm nëse bëjnë biznes mes vete. Por të pinë kafe së bashku si shokë, kjo nuk ndodhë”, ka thënë Valon Arifi për BBC.

Popullsia e Bujanocit është me shumicë serbe, por në rajonin me të gjerë shqiptarët janë më të shumtë.

Kjo është arsyeja pse Lugina e Preshevës ka qenë në qendër të spekulimeve; se a mund të jetë pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit të kufijve.

Madje ai thotë se në kafiteri të ndryshme ka edhe kode të Wi-fi’s që u dedikohet shqiptarëve dhe serbëve.

Sipas Arifit ka kafiteri të serbëve ku kodi është “Shqiptarët nuk janë të mirëpritur këtu” por edhe në kafiteri shqiptare të ngjashme.

Ndarja etnike është jetesa në Luginën e Preshevës, një cep i varfër i Serbisë, raportohet tutje nga BBC.

Ku jetoni, shkolla që ndjek fëmija juaj, gjuha që flisni dhe nëse shkoni në Kishë apo Xhami do të reflektojë në gjithë origjinën tuaj.

Tutje BBC ka raportuar për mundësinë e shkëmbimi të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, duke përkujtuar që shteti serb vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Poashtu është përmendur fakti se në veri-perëndim të Bujanocit në afërsi të kufirit të Kosovës janë shqiptarët ata të cilët jetojnë në ‘Tërnoc’, një vend ekskluzivisht i shqiptarëve, i njohur si një qendër e Forcave Ushtarake gjatë luftës.

Është edhe Aridona Shabani e cila dëshiron që të ketë pushime në Shqipëri dhe që është rritur pa pasur asnjëherë ndonjë shok serb edhe pse flet paksa gjuhën serbe.

“Nuk më pëlqen gjuha, pra nuk është interesant si anglishtja apo gjuha frënge”, ka thënë Aridona, shkruan Indeksonline.

Njëashtu nëna e saj, Xhevahire Shabani tha se njeh shumë serb por që nuk di gjuhën e tyre.

“Kemi jetuar në ish-Jugosllavi kur serbët dhe shqiptarët duhej të ishin të unifikuar. Ky brez u rrit në një kohë lufte, kur u nxit urrejtja. Këto përvoja të ashpra i kanë bërë të rinjtë të largohen nga njër-tjetri”, ka thënë ajo. Pak kilometra në lindje është fshati Rakova.

“Është fshat shumë i vjetër serb, nuk duam të jemi pjesë e Kosovës”, tha Vukasin, i cili është në të 20-tat dhe nuk dëshiron që t’i publikohet mbiemri.

Ai u pyet se a do të kishte dhunë në rast të ndryshimit të kufijve.

“Kjo mund të ndodhë”, thotë Dragoslav i cili si shumë të tjerë është i papunë. Të lodhur nga politika, Stojko Janiq thotë se është keqësuar humnera e vendosur në mes komuniteteve.

“Kam punuar me shqiptarët që 17 vjet. Kam pasur miq më të mirë mes tyre sesa kam pasur në mesin e serbëve. Ata ende duan të jenë miqtë e mi, por kanë frikë të dalin me mua dhe t’i shohë dikush sepse do të konsiderohen si tradhtarë të komunitetit të tyre”, ka shtuar ai.
Hevziu dhe Danilo

Kurse në ligën e Basketbollit në Play 017 në Bujanoc të rinjtë me origjinë shqiptare dhe serbe e rome trajnohen së bashku.

“Kur isha duek u rritur ne të gjithë kemi luajtur së bashku, por gjërat ndryshuan këtu për shkak të luftës. Unë kam një filozofi; kudo në botë, fëmijët qajnë të njëjtën gjë, nuk ka dallim midis tyre. Të rinjtë këtu mësojnë të jetojnë së bashku, të punojnë së bashku dhe të bëjnë miq”, ka thënë themeluesi i klubit, Nenad Stajiq.

Hevzi Imeri shqiptarë dhe Danilo Dabetiq serb, janë dy lojtarë me aspiratë dhe profesionistë e miq të mirë.

“Danilo është si miqtë e mi shqiptarë, vetëm ai flet gjuhë tjetër”, thotë Hevziu i cili e di mirë gjuhën serbe.