Drejtori sportiv i KF Llapit, Tahir Batatina, në “Emision Arena”, ka folur pas përfundimit të 11 xhirove në Superligë, ku Llapi në ndeshjen e fundit barazoi 1-1 me Trepçën ’89 në “Riza Lushti”, njofton Llapi.info
“Nuk jam i kënaqur me pozicionin e Llapit që është tash, duke e ditur organizimin e klubit dhe zgjedhja e lojtarëve cilësorë me një bagazh të jashtëzakonshëm, ndoshta ish dashur të jemi më lartë në tabelë. Por, kanë ndikuar negativisht shumë gjëra të cilat, kemi shumë lojtarë të lënduar sido që të jetë jemi afër me pikë.
“Llapi ka mundur të jetë bindshëm në vendin e parë, por ky është futbolli dhe besoj nuk është vonë të përmirësohemi. Është e vështirë të luhet kundrejt një kampioni siç është ’89-shi, jemi të kënaqur edhe me një pikë në këtë takim. Ka shumë lojë do të shkojmë gradualisht”, ka thënë ai.
Më tej, Batatina ka folur edhe për trajnerin e ri të skuadrës, Bekim Shotani duke thënë se ka rikthyer atmosferën tek klubi.
“Zgjedhja e Bekimit ka qenë se ai mundet të ambientohet me lojtarët e Llapit. Një trajner punëtorë, besoj se do ta jep më të mirë. Ai ka përkrahjen maksimale të kryesisë së klubit, drejtorit sportiv dhe gjithë qytetit të Podujevës. Llapit i ka nevojitur një trajner i nivelit të Bekimit. Menjëherë ka gjetur gjuhë të përbashkët është vërejtur harmonia tek lojtarët dhe komunikimi lojtar-trajner. Për mendimin tim ka kthyer frymën pozitive”, ka theksuar Batatina.
Ide të mirë sjelljen e Bekim Shotanit si trajner i Llapit, e ka cilësuar edhe trajneri i futbollit, Ismet Munishi.
“Sjellja e Shotanit është ide shumë e mirë, ai është punëtorë i madh. Zgjedhja ideale ka qenë Shotani nuk shquhet si diktator, por është trajner ma liberal”, ka thënë ndër tjerash ai./Llapi.info






