Lokale - eSIMy

Llapi është mposhtur si mysafir i Feronikelit në Drenas me rezultat 2-1. Dy gola nga penaltitë ishin vendimtarë që “Nikli” t’i arkëtoj pikët e plota në këtë ndeshje, njofton Llapi.info.

Por, akordimi i dy penaltive në të mirë të nikoqirëve, sipas Batatinës, nuk ishin për 11 metërsh. Tekniku llapjan ka shtuar se Llapi po vazhdon të dëmtohet nga referimi.

“Për ndeshjen ne e dominuam, ata u vërejt që ne asnjë aspekt nuk mund të na mposhtin neve, por Llapi nuk mund të luajë ndaj 15 personash dhe do të shohim kur të vijnë në Podujevë sesi do t’i presim ne pasi na dëmtuan edhe këtu. Unë gjithmonë kam thënë që skuadrat që na mposhtin duhet uruar fitoren, por ne sot u dëmtuan me dy penallti pasi nuk kishin, ndërsa ndaj nesh nuk u akordua një e tillë. Nuk ishte një Feronikel i fortë, pasi në momente nuk e ka parë topin por i urojë për fitoren”, ka thënë Batatina për SSK.

Pas disfatës së sotme, Llapi tashmë ka gjasa minimale për t’i kapur garat evropiane. Klubi nga Podujeva ka 37 pikë në pozitën e gjashtë, tash me 6 pikë më pak se Feronikeli që zë pozitën e pestë.

Në ndeshjen e radhës, Llapi pret Prishtinën, ndërkohë që Feronikeli do të ketë punë me Drenicën./Llapi.info